Shpërthen çisterna, ferr në Kaliforni

09/04/2012 16:55

Një kamion-çisternë, i goditur nga një makinë që drejtohej nga një shofer i dehur, ka marrë flakë natën e së shtunës përgjatë autostradës së Kalifornisë, duke shkaktuar një ferr të vërtetë.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Glendejlit, ku për fat të mirë nuk ka pasur të vdekur dhe të plagosur, kanë bërë të ditur mediat amerikane.

Çisterna po transportonte mbi 34 mijë litra karburant, kur është goditur nga pas nga një automjet që drejtohej nga një person në gjendje të dehur.

Goditja ka qenë e fortë dhe kamioni ka dalë nga kontrolli dhe pasi ka ecur pak përpara është përmbysur dhe ka marrë menjëherë flakë.

Nuk ka vonuar shumë dhe flakët janë përhapur me dhunë përgjatë autostradës dhe për t’i vënë nën kontroll janë angazhuar 150 zjarrfikës dhe dy helikopterë.

Segmente të ndryshme të autostradës janë mbyllur. Drejtuesi i automjetit që përplasi kamionin është arrestuar nën akuzën e drejtimit të makinës në gjendje të dehur.

Top Channel