Një ndjenjë e thellë e pasigurisë ka prekur shqiptarët të cilët jetojnë në lagjen e Tre Rrokaqiejve në veri të Mitrovicës.

Të lodhur nga shqetësimet dhe kërcënimet e vazhdueshme, vrasja e fqinjit duket se i dha fund durimit dhe pritjes se një ditë do të bëhet më mirë.

Banorët, kryesisht gratë dhe fëmijët, janë parë me valixhe në duar duke u larguar nga shtëpitë e tyre.

Në fakt shqiptarët, shumica e të cilëve jetojnë prapa dyerve të blinduara, thonë se kanë para vetes vetëm dy zgjidhje, mbrojtjen e pragut të shtëpisë ose braktisjen e saj njëherë e përgjithmonë.

Se këtu mbretëron urrejtja ndëretnike e tregojnë edhe muret e shkarravitura me mbishkrime nacionaliste kryesisht serbe e po kështu edhe xhamat e thyer në po thuaj secilin kat të ndërtesës.

Vetëm dy pjesëtarë policie janë parë duke patrulluar në këtë zonë të nxehtë. Ndërsa ka munguar tërësisht prezenca e KFOR-it dhe policisë së EULEX-it.
 
Nga ana tjetër, familjen e Selver Haradinajt e ka kapluar dhimbja e humbjes së rëndë për ta, Por përtej kësaj ata shprehin mllefin ndaj institucioneve shtetërore të cilat për 13 vjet nuk ofruan sigurinë e mjaftueshme. Këtu detyrimisht ata kujtojnë edhe kryefamiljarin e tyre të vrarë po nga forcat serbe në ditën që ishte nënshkruar marrëevshja e Kumanovës.

Teksa tregon përpjekjet e bashkëshortit për të ruajtur pragun e shtëpisë për 13 vjet me radhë, bashkëshortja e Selver Haradinajt, rrëfen  tmerrin që përjetoi një natë më parë, kur derisa po flinin shpërtheu bomba që i mori jetën bashkëshortit të saj.
 
Rrëfimi i bashkëshortes së Selverit është i gjatë. Ajo tregon se bashkëshorti i saj ishte i papunë dhe nuk kishte probleme me askë përvec nëse problem konsiderohet përkatësia e tij etnike.  Ndërkaq edhe një ndihmë sociale që merrte nga autoritetet komunale i ishte ndërprerë në nëntor të vitit që shkoi.

Ivanoviç: KFOR dhe EULEX të ndërhyjnë

Sekretari për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç ka kërkuar ndërhyrjen e KFOR-it dhe EULEX-it në veri.

Mediat serbe që citojnë Ivanoviçin, thonë se ai ka kërkuar nga trupat ndërkombëtare dhe misioni europian që të ndërmarrin masa për normalizimin e gjendjes në veri të Mitrovicës.

“Besoj që këta përgjegjës të sigurisë do të arrijnë të sigurojnë qetësinë për qytetarët e këtij vendi”, ka thene ai.

Ivanoviç paralajmëron se në veri mund të ndodhin edhe incidente të tjera, në rast se nuk merren masat e nevojshme.

Mitrovicë, serbët sulmojnë pikat e policisë

Tensionet në veri të Mitrovicës u bënë më të pranishme më herët gjatë ditës, kur banorët serbë dëmtuan pikat statike të ngritura atje nga Policia e Kosovës, pas
atentateve me eksploziv.

Korrespondentja jonë në Kosovë raportoi se, banorët shqiptarë ishin të shqetësuar për atë që kishte ndodhur dhe për shkak të rezistencës së banorëve serbë.

Qindra anëtarë të komunitetit serb, me të marrë vesh për vendosjen e pikave policore statike në zonën e Tre Rrokaqiejve, vërshuan atje duke ushtruar presion ndaj agjentëve të paktë në numër të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, grupi i Top Channel arriti të kontaktonte me familjen e Selver
Haradinajt, i cili humbi jetën në atentatin me eksploziv, anëtarët e të cilës u shprehën se gjithçka kishte ndodhur
për shkak të mungesës së sigurisë.

Policia: Situata vazhdon të jetë e tensionuar

Një ditë pas vrasjes së shqiptarit Selver Haradinaj në veri të Mitrovicës,
autoritetet e rendit thanë se situata në këtë pjesë të vendit mbetet e
tensionuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se policia në bashkëpunim me autoritetet tjera të komunës, janë duke u përpjekur për të ofruar një siguri më të madhe për qytetarët, e po ashtu edhe për uljen e tensioneve.

“Kemi një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, shqetësimet e banorëve, jo vetëm të veriut, banorëve shqiptarë e serbë, por të të gjithë banorëve të tjerë në komunë e me gjerë. Policia e Kosovës me strukturat e tjera të sigurisë dhe të pushtetit lokal ka përgjegjësi për marrjen e masave ose veprimeve shtesë për uljen e tensioneve”, deklaroi Hoti.

Ai tha se ende nuk dihen motivet dhe shkaktarët e sulmit, por siç u shpreh ai, policia është duke hetuar të gjitha rrethanat e këtij incidenti kriminal.
 
Zëdhënësi Hoti tha po ashtu se në lagjet e banuara me popullatë etnikisht të përzier, janë vendosur pika statike të kujdestarisë dhe të kontrollit.

Rexhepi: Pikë policore në veri të Mitrovicës

Ishte ministri i Brendshëm, Barjam Rexhepi që urdhëroi vendosjen e një pike statike policore tek lagjia “Tre Rrokaqiejt”, në veri të Mitrovicës, për të parandaluar përsëritjen e sulmeve.

Urdhri erdhi pas sulmit të së dielës me një mjet shpërthyes në banesën e familjes Haradinaj, ku humbi jetën kryefamiljari, Selver Haradinaj, kurse lëndime morën anëtarët e tjerë të familjes.

Për shkak të pasigurisë si pasojë e provokimeve, incidenteve dhe sulmeve të vazhdueshme nga strukturat ilegale serbe në veri, banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës prej kohësh kishin kërkuar vendosjen e një pike statike policore në këtë pjesë të qytetit.

Reagojnë institucionet vendore e ndërkombëtare

Lidhur me sulmin ndaj familjes Haradinaj në veri të Mitrovicës, reaguan institucionet e larta të Kosovës, si dhe partitë opozitare në vend, të cilat e dënuan aktin e sulmit dhe kërkuan nga organet e drejtësisë që ta ndriçojnë rastin dhe përgjegjësit t’i vënë para drejtësisë.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, përmes një komunikate, dënoi vrasjen, e cila ndodhi në Mitrovicë, duke thënë se, “Akte të këtilla të dhunshme dhe sulmet janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendit. Ato pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në gjithë Republikën së Kosovës dhe në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj”.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një deklarate për media, cituar nga Radio Europa e Lirë, dënoi aktin kriminal ndaj familjes Haradinaj.

“Aktet e tilla kriminale, janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë rendit, qetësisë dhe një shoqërie të civilizuar. Këto vepra të shëmtuara, krijojnë pasiguri te qytetarët e pjesës së veriut të Republikës së Kosovës, dhe si të tilla janë të dënueshme”, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, përmes një komunikate, e dënoi sulmin duke e cilësuar atë si një akt terrorist. “Ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit Qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e akterëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ndaj incidentit në Mitrovicë reagoi edhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar. “Mbeta i tronditur kur dëgjova për shpërthimin, në të cilin humbi jetën Z.Selver Hajradinaj në Mitrovicë, sot, herët në mëngjes. Shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij. Kuptova nga EULEX-i se po zhvillon hetime të përbashkëta me autoritetet kosovare. Shpresoj se ky hetim do të kryhet shpejt e me sukses. Ndërkohë, do të apeloja te të gjitha komunitetet që të qëndrojnë të qetë dhe ta lënë rastin në duart e policisë”, tha Zhbogar.

Sulmin me eksploziv ndaj familjes Haradinaj dhe vrasjen e kryefamiljarit, ashpër e dënoi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo, përmes një komunikate, vlerësoi se, “Akte të tilla kriminale, që marrin jetë qytetarësh dhe që lëndojnë të tjerë, janë të patolerueshme dhe se institucionet përkatëse duhet të punojnë shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar siguri për qytetarët shqiptarë në atë pjesë të Republikës së Kosovës”.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e quajti një akt terrorist sulmin ndaj familjes Haradinaj në Mitrovicë. Glauk Konjufca, deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se kjo Lëvizje është e indinjuar dhe e tronditur thellë nga ky sulm. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dënoi ashpër sulmin.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA