Një banor i lagjes “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë humbi jetën si pasojë e një shpërthimi në orët e para të së dieles.
Një mjet shperthyes i mori jetën Selver Haradinajt, në shtëpinë ku ai jetonte së bashku me 5 anëtarët e tjerë të familjes së tij të ngushtë në zonën e “Tre rrokaqiejve” që ndodhet afër lumit Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës në Jug dhe Veri.
Për fat të mirë, 4 fëmijët e të vrarit, dhe bashkëshortja e tij kanë shpëtuar me lëndime të lehta. Ata janë dërguar menjëherë në spital dhe kanë dalë më pas.
Besohet se mjeti eksplodues është një sasi 500 gram e eksplozivit plastik, që është aktivizuar me fitil ngadalë-ndezës, në parmakët e dritares së apartamentit të katit përdhesë të familjes Haradinaj.
Ende nuk ka të dyshuar dhe nuk dihet për motivet që kanë çuar në këtë akt kriminal, mirëpo nuk përjashtohet as mundësia se sulmi në lagjen e përzier etnikisht me shqiptarë dhe serbë, është motivuar nga paragjykimi mbi bazat e urrejtjes ndëretnike.
Deri më tani ende nuk është raportuar për persona të arrestuar apo të dyshuar, ndërsa sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, “sektori i hetimeve të krimeve serioze në Mitrovicë, është duke ndjekut hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e rastit”.
Sipas banorëve të kësaj pjese, të cilët hezitonin të flisnin para kamerave, shpërthimi ishte i fuqishëm, sa që ka tronditur të gjithë, dhe dëmet materiale janë shkaktuar edhe në objektet përreth.
Sipas tyre, sulmi kriminal ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek banorët shqiptarë të cilët jetojnë në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Rexhepi: Pikë policore në veri të Mitrovicës
Ministri i Brendshëm, Barjam Rexhepi urdhëroi vendosjen e një pike statike policore te “Tre rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës për të parandaluar përsëritjen e sulmeve.
Urdhri ka ardhur pas sulmit të së dielës me një mjet shpërthyes në banesën e familjes Haradinaj, ku humbi jetën kryefamiljari, Selver Haradinaj, kurse lëndime morën anëtarët e tjerë të familjes.
Për shkak të pasigurisë si pasojë e provokimeve, incidenteve dhe sulmeve të vazhdueshme nga strukturat ilegale serbe në veri, banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës prej kohësh kishin kërkuar vendosjen e një pike statike policore në këtë pjesë të qytetit.
Reagojnë institucionet vendore e ndërkombëtare
Lidhur me sulmin ndaj familjes Haradinaj në veri të Mitrovicës, kanë reaguar institucionet e larta të Kosovës, si dhe partitë opozitare në vend, të cilat e kanë dënuar aktin e sulmit dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që ta ndriçojnë rastin dhe përgjegjësit t’i vënë para drejtësisë.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, përmes një komunikate, ka dënuar vrasjen, e cila ndodhi në Mitrovicë, duke thënë se, “Aktet e këtilla të dhunshme dhe sulmet janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendit. Ato pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në gjithë Republikën së Kosovës dhe në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj”.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një deklarate për media, cituar nga Radio Europa e Lire ka dënuar aktin kriminal ndaj familjes Haradinaj.
“Aktet e tilla kriminale, janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë rendit, qetësisë dhe një shoqërie të civilizuar. Këto vepra të shëmtuara, krijojnë pasiguri te qytetarët e pjesës së veriut të Republikës së Kosovës, dhe si të tilla janë të dënueshme”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.
Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, përmes një komunikate, e ka dënuar sulmin, duke e cilësuar atë si akt terrorist.
“Ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit Qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e akterëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Ndaj incidentit në Mitrovicë, ka reaguar edhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar.
“Mbeta i tronditur kur dëgjova për shpërthimin, në të cilin humbi jetën Z.Selver Hajradinaj në Mitrovicë, sot, herët në mëngjes. Shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij. Kuptova nga EULEX-i se po zhvillon hetime të përbashkëta me autoritetet kosovare. Shpresoj se ky hetim do të kryhet shpejt e me sukses. Ndërkohë, do të apeloja te të gjitha komunitetet që të qëndrojnë të qetë dhe ta lënë rastin në duart e policisë”, tha Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar.
Sulmin me eksploziv ndaj familjes Haradinaj dhe vrasjen e kryefamiljarit, ashpër e ka dënuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo, përmes një komunikate, vlerëson se, “Aktet e tilla kriminale, që marrin jetë qytetarësh dhe që lëndojnë të tjerë, janë të patolerueshme dhe se institucionet përkatëse duhet të punojnë shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar siguri për qytetarët shqiptarë në atë pjesë të Republikës së Kosovës”.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur akt terrorist sulmin ndaj familjes Haradinaj në Mitrovicë. Glauk Konjufca, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje thotë se kjo lëvizje është e indinjuar dhe e tronditur thellë nga ky sulm.Përmes një komunikate ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka dënuar ashpër sulmin.
Top Channel