Jemen, luftë me Al Kaedën, 60 të vrarë

09/04/2012 21:35

Të paktën 60 të vdekur është bilanci i luftimeve që u regjistruan të hënën dhe që panë si protagonistë ushtrinë jemenase kundër anëtarëve të Al Kaedës, në jug të vendit.

Rreth 300 luftëtarë të organizatës terroriste kanë sulmuar në mëngjes një kazermë ushtarake në Loder, në provincën Abjane, duke shkaktuar reagimin e forcave të armatosura.

Luftimet kanë shkaktuar 40 të vdekur nga radhët e rebelëve dhe 14 të tjerë nga radhët e trupave ushtarake. Ndërkohë, 6 të vdekur të tjerë numërohen mes anëtarëve të Komitetit të Rezistencës Popullore.

Jemeni konsiderohet si një nga “parajsat” e reja të Al Kaedës dhe organizata terroriste ka shumëfishuar sulmet e saj në jug të vendit, pikërisht ku ndodhi dhe masakra e sotme.

Nga fundi i muajit të kaluar, 29 antarë të supozuar të rrjetit mbetën të vrarë në një tjetër përballje me trupat qeveritare jemenase. Përballja ndodhi në rajonin e Zinjibarit, kryeqendër e provincës së Abjanës, në jug të vendit më të varfër të botës arabe.

Zinjinbari u pushtua në fund të shkurtit nga ana e një grupimi të qujatur “Partizanët e Sharias”, një organizatë e konsideruar si një degëzim i Al Kaedës.

Më herët gjatë marsit, të paktën 10 militantë të organizatës, përfshirë disa liderë, u vranë në një sulm ajror në jug të Jemenit, raportuan mediat ndërkombëtare.

Anëtarët e grupit terrorist u goditën në afërsi të qytetit të Bajdës, rreth 130 kilometra në jug të kryeqytetit Sana, nga avionë luftarakë jemenas, ose dronë amerikanë.

Top Channel