Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se Kushtetuta dhe ligji duhet të shtrihen në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë komunat në veriun e vendit.
Përmes një deklarate të lëshuar me rastin e 4-vjetorit të miratimit të Kushtetutës, presidentja ka nënvizuar se dokumenti themeltar duhet të mbrojë të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike.
E cituar nga “RTK”, zonja Jahjaga është shprehur gjithashtu se, miratimi i Kushtetutës, dokumenti më i lartë juridik i vendit, është një akt historik që shpreh vullnetin e popullit të Republikës së Kosovës.
“Duke qenë garante e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të vendit, si dhe garante e fjalës së lirë, lëvizjes së lirë dhe e sundimit të ligjit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka hapur rrugë zhvillimit të vendit tonë në të gjitha fushat”, ka deklaruar Jahjaga.
“Mbështetur mbi këtë dokument thelbësor, Kosova po ndërtohet mbi bazat e një shteti ligjor, që sundimin e ligjit e ka parim themelor të funksionimit dhe që respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të bëhet vlerë e lartë e shoqërisë sonë”, ka thënë më tej presidentja.
Gjithësesi, Jahjaga është shprehur e vetëdijshme se, ndërtimi i shtetit ligjor kërkon përpjekje dhe përfshirje të vazhdueshme të institucioneve dhe të gjithë shoqërisë në Republikën e Kosovës.
Deklarata e së hënës vjen pas asaj të mbajtur ditën e shtunë, ku me rastin e 1-vjetorit të zgjedhjes si presidente, zonja Jahjaga rikonfirmoi qëndrimin e Prishtinës zyrtare se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as shkëmbim territoresh me Serbinë.
Top Channel