Greqia përballet me mundësinë e një krize të re politike pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në dy raunde në 29 prill dhe 13 maj, pasi kushdo që do të dalë fitues, duket se do ta ketë shumë të vështirë që të formojë një koalicion qeverisës.

E përditshmja “Pro Thema”, pasi realizoi një sondazh kombëtar, arriti në përfundimin se besimi i grekëve tek politikanët ka arritur një pikë aq të ulët, sa mund të jetë e domosdoshme që të formohet një koalicion prej 8-9 partish për të qeverisur vendin.

Shumica e 11 milionë banorëve të vendit fqinj do të donin të shikonin shtetin të drejtohej nga një parti që e ka kundërshtuar planin për huanë e radhës, i cili i ka imponuar popullit shkurtimet më të dhimbshme që prej fillimit të krizës në 2009-n.

Kjo do të thotë se dy protagonistët tradicionalë të politikës helene, “PASOK” dhe “Demokracia e Re” do të shohin mbështetjen të zvogëlohet në mënyrë drastike.

Sipas sondazhit, midis dy partive kryesore do të ketë një diferencë prej 7-8%, por të dyja marrë së bashku, do të mbetet shumë larg kuotës së 50% të vendeve në Parlament.

Në bazë të anketës së “Proto Thema”-s, realizuar pas valës së tronditjes kombëtare që përfshiu Greqinë pas vetvrasjes përpara Kuvendit të një pensionisti të paaftë për të paguar  ushqimet e tij, Nea Demokracia e liderit të opozitës, Antonis Samaras, zotëron për momentin mbështetjen e 20,8% të elektoratit.

PASOK-u në mazhorancë i dyshes Venizelos-Papandreu ka prekur kuotën më të ulët historike me 15% mbëshetje, ndjekur nga komunistët me 11,5%, Partia Grekët e Pavarur me 10,6%, Demokratët e Majtë me 9%, Chrysi Avgi, një parti neonaziste me 5,5%, partia ekologjiste 4,5% dhe disa të tjera më të vogla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA