Gjeorgji, ish-kreu i KGB-së fiton në Oseti

09/04/2012 16:00

Ish-kreu i KGB (sot FSB) në Osetinë e Jugut, Leonid Tibilov, fitoi zgjedhjet presidenciale në krahinën separatiste, formalisht pjesë e Gjeorgjisë.

Në zgjedhjet e mbajtura të dielën, ai arriti të grumbullonte 54% të votave, në përballjen direkte me ish-komisionerin e të drejtave të njeriut, David Sanakoyev.

Tibilov fitoi nëpërmjet një platforme në të cilën vendosej theksi për bashkim me Osetinë e Veriut, e cila është pjesë e Federatës Ruse. “Tani duhet të punojmë për të ndërtuar një shtet të ri ligjor, te bashkuar dhe të begatë për të gjithë osetianët”, deklaroi Tibilov, drejtues i degës së Shërbimeve Sekrete Ruse në zonë ndërmjet viteve 1992-98.

Ndonëse Osetia e Jugut ka shpallur pavarësinë pas një lufte të shkurtër ruso-gjeorgjiane në 2008-n, vetëm Moska zyrtare ka zyrtarizuar njohjen e saj, duke mbështetur që prej atëherë financiarisht dhe ushtarakisht rajonin.

Mediat gjeogjiane kanë reaguar ashpër ndaj qeverisë së tyre për qëndrimin e mbajtur ndaj zgjedhjeve, duke konsideruar se një protestë e thjeshtë ishte një lloj pranimi në heshtje i sovranitetit rus mbi krahinën dhe provë për faktin se Osetia e Jugut është vetëm një shtet kukull nën kontrollin e Rusisë.

Top Channel