Egjipt, zëvendësi i Mubarak kandidon për president

09/04/2012 00:00

Partia më e madhe në Egjipt, Vëllazëria Muslimane, paralajmëroi për një konflikt të ri në Egjipt, nëse ish-drejtuesi i shërbimeve sekrete në kohën e presidentit Hosni Mubarak arrin të fitojë në zgjedhjet presidenciale.

Omar Suleiman, i cili shërbeu edhe si zëvendëspresident gjatë revoltave që sollën fundin e regjimit 32-vjeçar të Mubarak, regjistroi kandidaturën e tij ditën e dielë.

Kandidati i “VM”-së, Khaira al-Shater, e dënoi ashpër këtë lëvizje dhe e konsideroi si një “ofendim” për popullin egjiptian.

Megjithatë, Suleiman u kundërpërgjigj duke thënë se Vëllazëria, e cila pritet të fitojë zgjedhjet, ka humbur shumë në popullaritetin e saj.

Zgjedhjet presidenciale, në plan për t’u mbajtur në 23 maj, do të jenë të parat që prej largimit të Mubarak nga skena politike në shkurt 2011. Mbi 20 persona, shumica të partive islamike, por edhe liberale e të pavarur kanë regjistruar deri më sot kandidaturat e tyre.

Pavarësisht reagimit që nga ngjallur në vend kandidatura e 75-vjeçarit Suleiman, si një person i lidhur ngushtësisht me përndjekjet e regjimit të shkuar, ai do të përbëjë një test të mirë për të matur masën e popullaritetit që ka në popull ish-diktatori Mubarak.

Egjiptianët “vërshojnë” në FB e Obama-s

Mijëra egjiptianë kanë “pushtuar” faqen zyrtare në Facebook të presidentit amerikan Barack Obama dhe shkak për këtë është bërë mundësia e një vendimi të autoriteteve zgjedhore në Kajro për të mos lejuar pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të kandidatit, Hazem Abu Ismail.

Ismail ka paraqitur kërkesën dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të muajit maj. Por kërkesa e tij mund të rrëzohet pasi autoriteti që po merret me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve pretendon se njëri nga prindërit e tij gëzon dy-kombësi, çka  sipas ligjeve vendase përjashton automatikisht kandidatin Abu Ismail.

Mbështetësit e Ismail kanë komentuar në faqen zyrtare të Obama-s në Facebook, pjesa më e madhe në arabisht, se shkresat e paraqitura nga komisioni zgjedhor janë të manipuluara dhe se e ëma e kandidatit të tyre ka fituar shtetësinë amerikane pasi përfundoi arsimin e lartë në këtë vend, ndërkohë që autoritetet amerikane po përpiqen ta paraqesin atë si një shtetase e lindur në Amerikë.

Sipas ligjit egjiptian, kandidatë për president të vendit mund të jenë të gjithë personat që nuk kanë patur kurrë shtetësinë e një vendi tjetër, të jetë i lindur nga prindër të lindur egjiptianë, nuk kanë dy-kombësi dhe që nuk janë të martuar me një shtetas jo egjiptian.

Top Channel