Beteja Sarkozy-Hollande për të rinjtë

09/04/2012 15:40

Dy kandidatët kryesorë në zgjedhjet presidenciale franceze, presidenti Nicolas Sarkozy dhe Francois Hollande, janë përfshirë në një betejë të ashpër për votat e të rinjve.

Për të bërë për vete votuesit nën 25 vjeç, secili prej kandidatëve ka përfshirë në axhendën e tij një reformë për mënyrën se si akordohen lejet e drejtimit për automjete, me autoshkollën që konsiderohet si tepër e ndërlikuar dhe e kushtueshme për t’u kaluar.

Në paketën e Sarkozy, propozohet përfshirja e orëve të kurseve për drejtimin e automjeteve në gjimnazet e vendit, ndërsa Hollande propozon që të gjithë ata që do të kryejnë shërbime në të mirë të komunitetit, të shpërblehen me orë falas nëpër autoshkolla.

Përcaktuese në luftën e tyre pritet të jetë edhe fitimi i sa më shumë elektorat nga ana e ekstremit të djathtë, tepër popullor në vend.

Secili prej kandidatëve ka përfshirë masa të reja anti-emigracion, ndërsa vota e mbështetësve të “Frontit Kombëtar” të Marine le Pen pritet të jetë vendimtare në raundin e dytë.

Le Pen, e bija e politikanit që eliminoi liderin historik të së majtës, Lionel Jospin, i renditur i dyti në garën përballë ish-presidentit Chirac në 2002-shin, gëzon një mbështetje të gjerë dhe pritet të renditet e treta në raundin e parë. Si rrjedhojë, votuesit e saj, të tërhequr nga masat radikale anti-emigracion dhe anti-BE, mund të përcaktojnë garën midis Sarkozy e Hollande, duke votuar për paketën ku e gjejnë më shumë veten.

Në Francë, raundi i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 22 prill dhe në të janë regjistruar dhjetë kandidatë. Dy kandidatët me më shumë vota i drejtohen raundit të dytë, në të cilin francezët zgjedhin presidentin për pesë vite në vazhdim.

Top Channel