Labëria është një ndër zonat më të njohura në Shqipëri, por kjo nuk i ka shërbyer për të qenë në vëmendjen shtetërore, duke patur minimalisht një infrastrukture të denjë rrugore.
Nga të gjitha krahët, fshatrat e Labërisë janë thuajse të izoluar në pak kilometra gjeografike nga Vlora, por që zgjasin me orë të tëra për shkak të rrënimit total të rrugëve.
Reportazhi i “Shqipërisë Tjetër”, solli si çdo të hënë, pas edicionit qëndror të lajmeve, realitetin e trishtueshëm me të cilin përballen këto zona.
Vetëm disa minuta larg Vlorës, rruga gjarpëruese drejt Drashovicës është një kurth i lodhshëm, e mbushur me gropa dhe tronditje, që e kthejnë makinën në një “lundrim” tokësor.
Pas Drashovicës, në krahë mbetet Vodica dhe Lapardhaja, ndërsa në horizont duken ngrehinat e Kotës. Pas Gumenës së gjelbëruar, një tabelë ku pothuajse nuk lexohet më se çfarë është shkruar, e vendosur në një udhëkryq, ndan rrugën e Kuçit, nga ajo e Velsh.
Rreth 30 kilometra, të përshkrueshëm për më shumë se 60 minuta me një makinë 4×4, për të arritur deri në Velsh.
Dhjetë vite më parë, banorët e këtij fshati, me shpenzimet e tyre, u përpoqën të shtronin një copëz rrugë, që ashtu e rrjepur, duke se e ka lënë shumë larg, këtë zonë të ndodhur kaq afër qytetit dhe bregdetit të Vlorës.
“Në qoftë se rruga do të ishte në parametrat e duhur, rruga Vlorë-Velsh do të zgjaste vetëm 20-30 minuta”, shprehet Ahmet Demaj, një banor i fshatit. “Kjo do të thotë se mund ta pinim kafen në Vlorë dhe të punonim këtu. Është pikërisht kjo arsyeja, rruga, ajo që na ndan. Kështu si sot zgjat më shumë se një orë e gjysëm, ndërsa mjetet duhet të shkojnë vazhdimisht tek riparuesi, prej difekteve të shumta që pësojnë”.
Fshati me më shumë se 120 familje është futur prej kohësh në darën e harresës nga shteti. Ashtu si fshatrat e tjerë të Labërisë, edhe Velsha ndihet e lodhur me fjalët e politikës, që thërret sa herë ka patur nevojë për banorët e saj.
Pjesa e vjetër e fshatit është ende qartësisht e dukshme mbi kodër, së bashku me kullën e Selam Hasanit, një monument kulture i braktisur si jo më keq.
“Gjendja që ka zona e Labërisë është si mos më keq, me pothuajse zero investime të bërë për të”, shprehet Adil Lela, një fshatar i Velshës. “Në këtë zonë, nuk kemi asnjë strukturë që të bjerë të paktën era shtet”.
Pak kilometra më tej, në rrugën që shndërrohet gjithmonë e më shumë në një shteg, ndodhet Ramica. Në qendër të fshatit ndodhet një lapidar, i cili si të gjithë të tjerët në zonën e Labërisë, ruhet me fanatizëm dhe krenari të rrallë.
Por, vetëm kaq, sepse gjithçka tjetër është pjesë e së shkuarës, ndërsa mungesa e vëmendjes shtetërore është e plotë. Nga Ramica, ku jetojnë thuajse 50 familje, rruga sfilitëse ndalet në Verbas.
“Nga një orë që do të ishte normale, na duhen tre orë për të shkuar deri në Vlorë. Jo vetëm kaq, por duhet edhe një vlerë e madhe monetare, gjashtë mijë lekë vetëm për të shkuar”, ankohet Bajram Malaj, një banor i moshuar i fshatit.
Shtëpitë karakteristike prej guri ngrihen mbi njëra-tjetrën, duke i dhënë një pamje të shkuar në kohë. “Nuk është as normale dhe as e drejtë që këto fshatra që kanë dhënë e kanë dhënë për Shqipërinë, të lihen në këtë gjendje të mjeruar. Situata është shumë e keqe”, deklaroi Pëllumb Banushaj, nga Verbasit.
Harresa e shndërruar në refrenin e kësaj zone, ngatërrohet keqas me historinë e pasur të Labërisë ndër shekuj.
Në Matogjin, fshati që mban në të shkollën e parë shqipe të zonës, ndërtuar në vitin 1913, asgjë nuk ndryshon, përveç kësaj shkolle të rikonstruktuar së fundmi me vetë fondet e fshatarëve.
Gjithsesi, banorët të tregojnë se në rrugën që të lidh me fshatin pasardhës, atë Bashaj, janë hedhur me dhjetëra milionë lekë investime, që në fakt, pak ose aspak nuk dallohen. Përveç tabelës së sinjalistikës, rruga ngjan po aq e lashtë sa edhe malet që e rrethojnë.
Pas tre orë e 30 minutash udhëtim, për vetëm 45 kilometra rrugë, mbijnë shtëpitë e para të Bashajt, fshatit ku jetojnë të nguluara në një izolim thuajse të plotë 70 familje.
“Flitet, por askush nuk dëgjon”, deklarata e një banori të trishtuar nga një gjendje që nuk ndryshon kurrë. Mes shtëpive të lodhura nga koha, dredhojnë kafshët, që sot për sot janë mjeti më i sigurt dhe praktik për të lëvizur në këtë zonë.
Rruga drejt Vërmikut është edhe më e vështirë, teksa erozioni i tokës e ka bërë praktikisht të pamundur aksesin. Me Vërmikun në sfond, pa mundur të mbërrijnë deri atje, kamerat e “Top-Channel” mbyllën udhëtimin e tyre në Labëri të detyruara.
Kjo ishte Labëria, e emrit dhe e braktisjes së madhe. E njëjta braktisje, që ka pllakosur në çdo anë të krahinës, që nga Kuçi, ashtu edhe në Sevasterin e anës tjetër. Labëria, kërkon vetëm një rrugë, një rrugë për të mbijetuar dhe për të mos patur fundin e fshatit Vërmik, ku dikur jeton 500 banorë, për të mos mbetur më asnjë frymë e gjallë në të sot.
Top Channel