Mesha e Pashkëve në Vatikan

08/04/2012 00:00

Mesazhi i ringjalljes së Krishtit përhapet po njësoj si mijëra vjet më parë kur Maria Magdalena ua komunikoi dishepujve: “Pashë Zotin”. Shpresa në këtë botë, kurrsesi nuk do të mbetet pa u përballur me ashpërsinë e së keqes”.

Nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë iu drejtua mijëra besimtarëve katolikë siç ndodh çdo vit. Mesazhi i Pashkës u ndoq nga urimi “Urbi et Orbi” në 65 gjuhë të botes, edhe në shqip.

Ai iu drejtua të gjithë popujve që sot kalojnë ditë të vështira, nga Siria, Lindja e Mesme, Sudani, Nigeria dhe Mali.  Papa Benedikti i XVI kërkoi t’i jepet fund dhunës, terrorizmit dhe gjakderdhjes.

“Në Siri, në veçanti, të ndaloje gjakderdhja dhe të merret pa hezitim rruga e respektit, dialogut dhe pajtimit, ashtu siç u kërkua edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Mijëra refugjatë që vijnë nga ai vend, të cilët kanë nevojë për ndihmë humanitare të gjejnë mikpritje dhe solidaritet që mund t’u lehtësojë brengat”, u shpreh Ati i Shenjtë.

Sa i takon Tokës së Shenjtë, Papa u kërkoi izraelitëve dhe palestinezëve të nisin me kurajo procesin e paqes.

Të shtunën në mbrëmje, në meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë foli për errësirën që ka mbuluar njerëzimin, tashmë i paaftë për të dalluar të mirën nga e keqja: “Errësira që paraqet një kërcënim të vërtetë për njerëzimin, pas gjithçkaje, është fakti se njeriu mund të shohë dhe të hetojë gjërat e prekshme materiale, por pa kuptuar se ku po shkon bota, nga vjen ajo, ku po shkon jeta jonë, çfarë është e mirë ose e keqe. Errësira që mbështjell Zotin dhe që errëson vlerat është kërcënimi real i ekzistencës sonë dhe i botës në tërësi.”

Mesha nisi në errësirë, një simbolikë e varrit ku u vendos trupi i Jezu Krishtit përpara se të vinte drita e ringjalljes, tre ditë pas kryqëzimit. Mbi 10 mijë besimtarë ndezën qirinj dhe më pas të gjitha dritat ndriçuan Bazilikën për të treguar se ajo vjen bashkë me ringjalljen e Krishtit. Ati i Shenjtë, i cili mbush 85 vjeç më 16 prill, pagëzoi tetë persona nga Italia, Shtetet e Bashkuara, Sllovakia, Turkmenistani, Shqipëria, Gjermania dhe Kameruni.

Ringjallja e Krishtit është data më e rëndësishme në kalenderin liturgjik për 1.2 miliardë katolikë në të gjithë botën.

Top Channel