Jo më larg se 10 kilometra larg  Prishtinës, në komunën e Obiliqit, gjendet lagjia rome e quajtur Plemetin.

Dhjetëra fëmijë romë, ashkali dhe egjiptas, të uritur, zbathur dhe nën tymin e ndotësit më të madh në Kosovë, e kalojnë një ditë të zakonshme.

“Jetojmë në pisllëk dhe në banesa të rrënuara”, shprehen romët.

Pak metra më tej gjendet kjo godinë kolektive ku për shkak të kushteve të rënda qeveria pati zhvendosur dhjetëra familje rome. Njëra nga to ishte kapluar nga zjarri dhe shumë familje të tjera kanë mbetur në këto shtëpi, nëse mund të quhen të tilla.
 
Nga Plemetini i komunës së Obiliqit, ekipi i Top Channel vizitoi edhe lagjen rome në komunën e Fushë-Kosovës. Të ngulfatur nga plehrat, pa ushqime dhe në kushte të mjerueshme, romët kërkojnë së paku që komuna t’ju sjellë kazanët e plehrave.
 
Rreth 50,000 Romë, ashkali e egjiptas, po ballafaqohen me sfida të shumta në jetën e tyre të përditshme. Në shoqërinë kosovare, ku mbi 40% e popullsisë është e papunë dhe ku varfëria është e shtrirë kudo, pjesëtarët e komunitetit të ashkalinjëve që jetojnë në lagjen periferike në Fushë-Kosovë jetojnë kryesisht me më pak se 2 dollarë në ditë.

Përveç interesimit te mediave ata nuk i kishte vizituar askush. Ky komunitet në parlamentin e Kosovës ka edhe përfaqësuesit e vet! Megjithatë përkundër të gjitha këtyre problemeve thuajse asnjëherë nuk dëgjohet zëri i tyre.

Top Channel