Koreja e Veriut, gati testin bërthamor

08/04/2012 22:00

Koreja e Veriut ka lëvizur një prej raketave me rreze të gjatë për të nisur hedhjen e saj të provës gjatë këtij muaji, në një test të bërthamor që ngjalli edhe shqetësimin e ndërkombëtarëve.

Peniani thotë se raketa Unha-3, e cila është në plan të testohet mes datave 12 dhe 16 prill, do të lëshojë një satelit në orbitë.

Por kundërshtuesit e kësaj lëvizjeje frikësohen se ky është një test i raketave me rreze të gjatë.

Ndërkohë, zyrtarët e Koresë së Jugut thonë se imazhet e reja satelitore tregojnë se Veriu po përgatitet të kryejë një test të tretë bërthamor.

Imazhet tregojnë grumbujt e dheut dhe rërës në hyrje të një tuneli në Punggye, ku testet e bombave bërthamore janë kryer më parë në vitet 2006 dhe 2009, bën të ditur agjencia e lajmeve të Koresë se Jugut, Yonhap.

“Imazhet e fundit satelitore na çojnë në përfundimin se Veriu ka qenë duke gërmuar në fshehtësi një tunel të ri nëntokësor, në krah të dy të tjerëve, ku janë kryer më parë teste bërthamore”, tha një zyrtar i paidentifikuar për agjencinë e lajmeve AFP.

Koreja e Veriut ka qenë nën vëzhgim të afërt nga ana e fqinjëve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar që kur Kim Jong-un u bë udhëheqës i shtetit, pas vdekjes së babait të tij, Kim Jong-il, në dhjetor 2011.

Peniani kishte rënë dakord në shkurt për një ndërprerje të pjesshme të aktiviteteve bërthamore dhe testimit të raketave në këmbim të ndihmave ushqimore amerikane. Por marrëveshja u pezullua muajin e kaluar pasi Veriu njoftoi se kishte nisur planin për lëshimin e raketave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA