Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vijuar në Uashington takimet,
këtë herë me sekretarin e Tregtisë, John Bryson, me të cilin ka
diskutuar mbi mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, me qëllim
zhvillimin e sektorit privat.

Sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë së Kosovës, i cituar nga “REL”, Thaçi e ka informuar bashkëbiseduesin me politikat ekonomike të kabinetit të tij, për zhvillimin e sektorit privat, si dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe fizike.

Nga ana e tij, zyrtari amerikan e ka garantuar kryeministrin se departamenti i tij do të vijojë me zbatimin e projekteve që kanë si qëllim zhvillimin ekonomik të shtetit të ri të Ballkanit, duke e vënë theksin tek promovimi i investimeve amerikane.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Thaçi është takuar edhe me drejtorin e përgjithshëm të Zërit të Amerikës, David Ensor, ku ka vlerësuar punën “profesionale” që zhvillohet nga ky institucion i rëndësishëm ndërkombëtar.

“Zëri i Amerikës gjatë kohës më të rëndë të historisë së popullit tonë ka qenë gjithmonë një dritare shprese, që ka ndihmuar shumë në promovimin e çështjes së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ditën e djeshme Thaçi dha një intervistë për Zërin e Amerikës, ku deklaroi se vizita e tij në Uashington rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Takimet me sekretaren Clinton dhe zëvendëspresidentin Biden ishin një rikonfirmim për mbështetjen e Kosovës, stabilitetit të saj dhe të rajonit, si dhe për të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi: Beogradi mashtron serbët e Kosovës

Ndërsa në një fjalim të mbajtur të enjten në Qendrën Ndërkombëtare për Studimet Strategjike, Thaçi deklaroi se Serbia vazhdon të gënjejë pakicën serbe të Kosovës me mundësinë e ndarjes së vendit.

“Kur kanë kaluar 13 vjet, serbët në veri vazhdojnë të gënjehen nga Serbia se mund të ndodhë ndarja e Kosovës. Por, më 15 korrik të vitit të kaluar, kjo ëndërr e Serbisë u shua njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Thaçi.

Sipas raportimeve të “REL”, kryeministri theksoi se Kosova do të jetë një shtet i vetëm, me një integritet territorial të paprekshëm dhe të njohur në rang ndërkombëtar.

“Serbëve u duhen investime dhe programe sociale dhe jo mesazhe të vjetra për t’i mbajtur peng”, u shpreh Thaçi, i cili nënvizoi se Serbia duhet të sillet në mënyrë më të civilizuar me Kosovën.

Përsa i përket proçesit të njohjeve, kreu i qeverisë së Prishtinës kërkoi më shumë angazhim nga ana e Brukselit për të siguruar njohjen e pavarësisë nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë bërë këtë gjë.

Megjithatë, Thaçi shprehu bindjen e tij se mungesa e njohjes nga Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro nuk do të pengojë të ardhmen evropiane të shtetit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA