Tunizi, konfirmohet dënimi për Ben Ali

07/04/2012 14:20

Gjykata e Apelit në Tunizi ka konfirmuar të shtunën dënimin ndaj presidentit të rënë të vendit, Ben Ali, si dhe ndaj disa ish-drejtuesve të lartë të regjimit.

Sipas agjencive lokale të lajmeve, dënimet variojnë nga dy deri në pesë vjet burg, për akuzat e torturave të kryera në vitin 1991 ndaj disa oficerëve të ushtrisë.

“Vendimi është shqiptuar sot me dyer të mbyllura”, ka deklaruar një avokate mbrojtëse, zonja Abada Kefi, që ka njoftuar edhe një apelim të ri në Gjykatën e Kasacionit.

Ben Ali ishte i pari president i vendeve arabe që u rrëzua nga pushteti nga protestat popullore që u pagëzuan me emrin Pranvera Arabe.

Pasi kishte qeverisur Tunizinë për disa dekada, ai kishte akumuluar një pasuri kolosale. Vetëm në kasafortën në rezidencën e tij u gjetën 50 milionë dollarë kesh, si dhe një numër i madh bizhuterish e objektesh të tjera më vlerë.

Ndërkohë, rënia e tij pasoi me atë të kolonelit Muammar Gaddafi në Libi, i cili u vra nga kryengritësit, me tërheqjen e presidentit të Jemenit, Ali Abdullah Saleh, ndërkohë që protestat po vazhdojnë në Siri, por po shtypen me ashpërsi nga ushtria besnike ndaj presidentit Assad.

Top Channel