S’ka paqe në Siri

07/04/2012 18:35

Të paktën 133 persona gjetën vdekjen në atë që quhet dita më e përgjakshme që nga nisja e protestave anti-qeveritare në Siri.

Viktimat u regjistruan në një moment kur komuniteti ndërkombëtar pret uljen e armëve, si nga opozita, por sidomos nga ushtria qeveritare për t’iu dhënë fund viktimave mes radhëve të civilëve.

Aktivistët sirianë njoftojnë se numri i viktimave është shumë herë më i madh, por për shkak të besueshmërisë së lajmit, mediat ndërkombëtare iu referohen burimeve ndërkombëtare që kanë mundur të çajnë bllokadën siriane të informacionit.

Një vëzhgues ndërkombëtar tha se të paktën 30 persona mbetën të vrarë si pasojë e bombardimeve në qytetin e Hamas, ndërkohë që në një video që qarkullon në internet, tregohen 13 trupa të pajetë, në pamje të parë viktima të një ekzekutimi në masë të kryer nga ushtria.

Ndërkohë, Turqia deklaron se numri i refugjatëve sirianë është dyfishuar që nga momenti kur presidentit Bashar al-Assad vendosi të pranojë planin e paqes prej gjashtë pikash të propozuar nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, Kofi Annan.

Plani 6-pikësh, i ndërmjetësuar nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, parashikon një armëpushim të pjesshëm nga të gjitha palët më 10 prill, që të pasohet nga një armëpushim total më 12 prill.

Gjithsesi, opozita siriane, Shtetet e Bashkuara dhe shumë figura të tjera rajonale kanë shprehur skepticizmin e tyre mbi mundësinë e zbatimit të planit nga Damasku.

Në fjalimin e ditës së premte, Ki Moon deklaroi se sulmet e fundit ndaj civilëve shkelin kërkesat e parashtruara nga Kombet e Bashkuara dhe i kërkoi qeverisë që të ndalë operacionet ushtarake.

“Dënojmë sulmet e autoriteteve siriane ndaj civilëve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, pavarësisht angazhimeve të marra nga qeveria për të ndalur përdorimin e armatimeve të rënda në zonat e banuara”, u shpreh Ki Moon.

Top Channel