Janë tetë kandidat për president të konfirmuar deri më tani për zgjedhjet presidenciale të 6 majit në Serbi.
Atyre u duhen nga 10 mijë nënshkrime për t’u futur në garë. Ndër
kandidatët ka edhe personalitete që udhëheqin organizatën e
ultranacionalistëve Dveri, të njohur më shumë për afërsi me grupet
neonaziste.

Megjithatë, në listën e publikuar deri më tani janë përmendur si kandidat, Boris Tadic, kryetar i Partisë Demokratike, me profesion psikolog dhe ish-fotomodel. Tomisllav Nikolliç, Partia Progresiste, është diplomuar së fundmi për menaxhim, ish-radikal i konvertuar në proevropian. Dikur ka qenë drejtor varrezash. Ivica Dacic, ish-zëdhënës i Sllobodan Milloshevicit, ministër policie. Ka kthyer partinë socialiste në pushtet pas katër luftërave të përgjakshme.

Dramaturgu Cedomir Jovanovic, i njohur si e vetmja frymë liberaldemokrate, fraksion i demokratëve pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjic. Partia Radikale e Serbisë, ka vendosur të kandidojë Jadranka Sheshel për presidente, bashkëshorten e Vojisllav Sheshel, të akuzuar në Hagë për krime lufte.

Në listë nga rajonet e bashkuara është edhe ekonomisti, Zoran Stankovic dhe lideri i Hungarezëve të Vojvodinës, Ishtvan Pastor. Ndërsa në listë nuk mungon, të paktën sipas publikimeve në media, ish-kryeministri Vojisllav Koshtunica, njeri i pasionuar pas shkencave juridike, ndonëse sipas mënyrës së tij. Kishte fituar kundër Sllobodan Milloshevicit dhe më pas zbuloi veten edhe si ultranacionalist. Secili kandidat për garë mund të marrë nga shteti afër një milionë euro.

Top Channel