Te pakten 117 ushtarë pakistanezë janë varrosur nga një ortek dëbore në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit, bëjnë të ditur mediat lokale.
Televizionet pakistaneze deklarojnë se ngjarja ka ndodhur në afërsi të akullnajës Siaçen, në vargun malor lindor të Karakoramit.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Associated Press”, duke cituar një autoritet pakistanez, deklaron se janë 130 ushtarët e varrosur, pasi shtabi i batalionit të tyre në rajonin e Gajarit u mbulua nga orteku.
Zona ndodhet në rajonin e ndarë të Kashmirit, territorin e të cilit e pretendojnë si India, ashtu edhe Pakistani. Helikopterë, qenë të stërvitur dhe grupe të specializuara janë dërguar në zonë për operacionet e shpëtimit, bëhet e ditur në një komunikatë ushtarake.
Kashmiri është një zonë e diskutueshme mes Indisë dhe Pakistanit që prej vitit 1947. Dështimi në arritjen e një marrëveshjeje për statusin e territorit në rrugë diplomatike ka futur disa herë në luftë dy vendet.
Akullnaja e Siaçenit njihet si pika më e lartë, plot 6.700 metra dhe njëkohësisht si një zonë e rëndësishme betejash ushtarake. Megjithatë, më shumë ushtarë kanë vdekur nga kushtet e motit sesa nga luftimet.
Top Channel