Mali, tërhiqen krerët e grushtit të shtetit

07/04/2012 08:45

Liderët e grushtit të shtetit në Mali kanë rënë dakord të tërhiqen dhe të lejojnë një tranzicion tek regjimi civil, si pjesë e një marrëveshjeje të arritur me bllokun rajonal Ecowas.

Në këmbim, blloku do të heqë sanksionet tregtare dhe ekonomike dhe do të garantojë amnisti për juntën ushtarake, bëjnë të ditur ndërmjetësit.

Lëvizja vjen pasi rebelët Tuaregë në veri të vendit shpallën pavarësinë e territorit që ata e quajnë Azauad. Rebelët morën nën kontroll zonën pasi grushti i shtetit dy javë më parë futi kombin e Afrikës Perëndimore në një krizë të thellë politike.

Në kuadër të afateve të parashikuara në planin e tranzicionit, udhëheqësit ushtarakë do t’ia dorëzojnë pushtetin kryetarit të parlamentit, Diouncounda Traore, që më pas në cilësinë e presidentit do të caktojë një datë për zgjedhjet.

Sapo të jetë bërë betimi, zoti Traore do të ketë 40 ditë kohë për të organizuar zgjedhjet, thuhet në marrëveshjen prej pesë faqesh.

Pakti, i nënshkruar nga lideri i grushtit, kapiteni Amadou Sanogo, thotë se blloku Ecowas do të përgatisë heqjen e sanksioneve, por nga ana tjetër nuk jep një datë të saktë se kur kapiteni do të dorëzojë pushtetin.

“Do të jetë e nevojshme të organizohet një tranzicion politik që të çojë drejt zgjedhjeve të lira, demokratike dhe transparente në të gjithë territorin”, thuhet në marrëveshje.

Trupat e drejtuara nga kapiteni Sanogo morën kontrollin më 22 mars, duke akuzuar qeverinë e zgjedhur se nuk po bënte sa duhet për të ndalur rebelimet në veri të vendit.

Top Channel