Kodi, Rama: Aleatët, deklarata në tym

07/04/2012 14:55

Kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së aleatëve të majtë përsa i përket ndryshimeve sistemin zgjedhor, që sipas tyre ndëshkojnë partitë e vogla.

“Ndjej keqardhje për reagimin në tym të aleatëve të Partisë Socialiste”, ka deklaruar Rama përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter.

“PS mbron të njëjtën bindje me ta, por nuk ka në dorë ta përmirësojë pa konsensus sistemin zgjedhor”, është shprehur më tej lideri i opozitës.

Aleatët e PS, Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Petro Koçi dhe Nard Ndoka deklaruan së fundmi se ndryshimet që po bëhen në Kodin Zgjedhor ngushtojnë hapësirat për partitë e vogla.

Ndërsa muajin e kaluar ishte anëtari i koalicionit qeveritar, Fatmir Mediu, që deklaroi se formulat e propozuara pritet të sjellin fuqizimin e mëtejshëm të dy partive të mëdha në dëm të partive të vogla, të cilat po shkojnë drejt daljes nga skena politike.

“Për mua ky është një proçes jotransparent, e dyta cënon në mënyrë të padiskutueshme një monopol të jetës politike, jo për shkak të votës së qytetarëve, por për shkak të formulave tërësisht të shtrembëra që futen në këtë kod për të marrë deputetë partive të ndryshme, për t’ia dhënë dy partive të mëdha”, tha Mediu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA