Kandidati për president në Serbi, Çedomir Jovanoviç ka deklaruar se
vendi i tij i ka një borxh të madh Kosovës, të cilin duhet t’ia shlyejë
nëse dëshiron të arrijë një të ardhme të begatë.

Në një takim me elektoratin, Jovanoviç u shpreh se, konstatimet se gabimet e saj Serbia i ka lënë pas nuk janë të mjaftueshme.

“Ne i kemi shumë borxhe Kosovës dhe Bosnjes. Nëse e duam vendin tonë, atëherë duhet t’ua shlyejmë atyre këtë borxh, në mënyrë që të krijojmë një shtet modern, më të bukur, më tolerant dhe më të hapur, që i duhet rajonit”, ka thënë Jovanoviç.

Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, kryetari i Liberal Demokratëve u shpreh se po kandidon për president, në mënyrë që t’i sjellë vendit një qeverisje ndryshe nga ajo e presidentit Boris Tadiç.

“Tadiç ka bërë tepër kompromise aty ku nuk duhej dhe ka dëshmuar mungesë fuqie aty ku duhet të tregonte trimëri”, deklaroi më tej kandidati i koalicionit “Kthesa”.


Jovanoviç shpalli kandidaturën
për president tre ditë më parë, duke premtuar se do të sjellë një qeverisje ndryshe. Përveç tij dhe Boris Tadiç, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit, për postin e kreut të shtetit në Serbi do të garojnë edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç dhe lideri i Partisë Progresiste, Tomisllav Nikoliç.

Në fillim të muajit Jovanoviç ishte në Preshevë, ku u mirëprit nga banorët, të cilët i ofruan të pijë dhe i thanë se kur e shohin në televizor i gëzohen fjalimeve të tij.

Jovanoviç ishte serbi i parë që vizitoi Luginën e Preshevës në mënyrë miqësore, duke u thënë shqiptarëve se Serbia duhet bërë shtet shprese nga shteti i fatkeqësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA