Presidenti i ri i Jemenit ka shkarkuar nga detyra oficerët e vjetër të ushtrisë, besnikë të parardhësit të tij Ali Abdullah Saleh, bëjnë të ditur mediat lokale.
Mes oficerëve të zëvendësuar janë vëllai i Saleh, që drejtonte forcat ajrore, dhe nipi i tij, drejtues i gardës presidenciale, bën të ditur agjencia e lajmeve “Saba”.
Presidenti Abdrabuh Mansur Hadi ka për detyrë ristrukturimin e ushtrisë, si pjesë e marrëveshjes së tranzicionit, në bazë të të cilës ai erdhi në pushtet. Saleh kishte qeverisur Jemenin për 33 vjet.
Korrespondentët thonë se lëvizjet në ushtri përbëjnë një goditje të rëndë për Saleh, i cili më në fund ra dakord për implementimin e një marrëveshjeje për kalimin e pushtetit, që u nënshkrua vitin e kaluar pas protestave masive dhe përleshjeve mes ushtrisë e fiseve tribale.
Në kuadër të marrëveshjes, zoti Hadi u zgjodh president në zgjedhjet e shkurtit, ku ai ishte kandidati i vetëm. Qindra mijëra jemenas morën pjesë në demonstratat ditën e premte për të kërkuar reformimin e ushtrisë.
Komandanti i forcave ajrore, gjenerali Mohamed Saleh al Ahmar, gjysmëvëllai i Saleh, dhe kryetari i gardës presidenciale, gjenerali Tarek Mohamed Abdallah Saleh, nipi i tij, u shkarkuan të dy.
Më herët gjatë së premtes, një atentator vetëvrasës u hodh në erë në bordin e një motori-bombë në afërsi të zyrave të shërbimeve sekrete në lindje të Jemenit, por për fat të mirë nuk shkaktoi viktima.
Top Channel