Presidentja kosovare Atifete Jahjaga ka rikonfirmuar qëndrimin e Prishtinës zyrtare se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe as shkëmbim territoresh me Serbinë.

Në një takim me gazetarët me rastin e 1-vjetorit të zgjedhjes si presidente, zonja Jahjaga i ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike këto dy opsione.

“Nuk ka ndarje të Kosovës dhe as të Serbisë. Nuk ka as shkëmbim territoresh dhe as popullsish mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Jahjaga.

Presidentja ka nënvizuar gjithashtu se nuk do të ketë as zgjedhje lokale serbe në veriun e Kosovës, qëndrim ky i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Zgjedhjet lokale serbe nuk do të mbahen në territorin e Kosovës. Ky është qëndrimi zyrtar i institucioneve tona dhe i mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare”, ka theksuar Jahjaga.

Ndërsa përsa u përket zgjedhjeve të përgjithshme, kryetarja e shtetit është shprehur se është e drejtë e kujtdo që gëzon dyshtetësinë të votojë në një proçes të tillë.

“Ky proçes mund të realizohet përmes ambasadave. Edhe për fqinjin tonë, Serbinë, do të ishte më mirë po të kishte një ambasadë dhe t’i realizonte zgjedhjet”, ka shtuar Jahjaga.

Më herët, kundër ndarjes së Kosovës u shpreh edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili në një intervistë për VOA deklaroi se, “nuk do të ketë as ndarje, as autonomi dhe as status special për veriun”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA