Chavez sërish në Kubë për mjekim

07/04/2012 19:10

Presidenti venezuelian, Hugo Chavez ka udhëtuar sërish drejt Kubës për t’iu nënshtruar një tjetër seance radioterapie kundër kancerit malinj.

Njoftimi u dha nga vetë Chavez nëpërmjet një lidhjeje direkte telefonike me televizionin shtetëror në Karakas.

Pasi njoftoi popullin venezuelian për udhëtimin e tij drejt Kubës, Chavez foli edhe për Sirinë. Ai tha se kishte patur një bisede telefonike me presidentin sirian, Bashar al-Assad të cilit i kishte ripërsëritur mbështetjen e plotë të tij, “në këto kohë” të vështira që po kalon.

Udhëtimi i radhës drejt Kubës për t’iu nënshtruar terapisë së radhës kundër kancerit, vjen pas disa ditësh pushime që Chavez kaloi në vendlindjen e tij, ku dhe festoi Pashkët. Gjatë këtyre festimeve, Chavez iu lut Zotit “që t’i japë ditët e nevojshme” për të përfunduar, siç tha ai, atë që ka nisur, “revolucionin socialist”.

57-vjeçari u diagnostikua me një tumor malinj në zonën e legenit në vitin 2011 dhe që prej atëherë i është nënshtruar dy operacioneve kirurgjikale, si dhe disa seancave të kimioterapisë dhe radioterapisë.

Në zgjedhjet që do mbahen në muajin tetor, Chavez, i cili kërkon një mandat të ri 6-vjeçar për të vazhduar “revolucionin socialist”, do të përballet me një kandidat të fortë nga opozita, liderin e saj, Henrique Capriles Radonski.

Top Channel