Birmani, presidenti takon rebelët

07/04/2012 11:10

Rebelët që luftojnë kundër qeverisë në Birmani kanë konfirmuar për BBC se liderët e tyre janë takuar me presidentin e vendit, Thein Sein.

Ky është takimi i parë që zhvillohet mes dy palëve, në një nga vendet me konfliktin civil më të gjatë në botë. Rebelët e fraksionit Karen kanë luftuar për pavarësinë që prej 60 vjetësh.

Muajin e kaluar një nga liderët e tyre u lirua nga autoritetet vendase, disa ditë pasi i ishte dhënë një dënim me 20 vjet burg për tradhti. Një zëdhënës i rebelëve i cilësoi bisedimet me presidentin si “të ngrohta dhe të këndshme”.

Korrespondentja e BBC në Azinë Jug-lindore, Rachel Harvey thotë se bisedimet janë pjesë e një përpjekjeje të autoriteteve për të bërë marrëveshje me grupet e ndryshme separatiste në vend.

Deri tani palët kanë nënshkruar një seri marrëveshjesh për armëpushime të përkohshme. Mijëra persona janë zhvendosur nga luftimet disadekadëshe mes palëve, shumë prej të cilëve janë strehuar në kampe refugjatësh përgjatë kufirit me Tajlandën.

Së fundmi në Birmani, ose Mianmar siç njihet ndryshe, u mbajtën zgjedhjet parlamentare, nga të cilat partia e lideres së opozitës Aung San Suu Kyi fitoi 44 mandate.

Vetë Suu Kyi e cilësoi proçesin si një epokë të re për vendin, gjatë të cilës do t’i vihet më shumë theks rolit të njerëzve në politiken e përditshme të vendit.

Top Channel