Bashkia e Durrësit kalon për miratim privatizimin e tre objekteve
publike në pronësi të saj. Uzina Mekanike Bujqësore ndërmarrja Makina
Impeks dhe biblioteka e fëmijëve i janë propozuar Këshillit Bashkiak që
t’i hapë rrugë privatizimit të tyre.
Megjithatë në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak nuk është bërë e mundur të miratohen këto projektvendime pasi këshilltarët e majtë nuk kanë marrë pjesë, pasi ishin të angazhuar në një takim politik në plazhin e Durrësit.
Mbledhja është zhvilluar duke kaluar për miratim vetëm listën me 381 emra të qytetarëve durrsakë që përfitojnë kredi të lehtësuar dhe dhënien me qera të një ambjenti të klubit shumësportësh “Teuta”. Objektet e propozuara për privatizim mbi bazën e kërkesës së bashkisë nuk u kaluan në shqyrtim pasi për to kërkohet shumica e cilësuar me 3/5 e këshilltarëve.
Privatizimi i këtyre objekteve deklarohet se do t’i hapë rrugë jo vetëm privatizimit të tyre nga pronarët e truallit ku janë ngritur duke plotësuar kështu një detyrim ligjor, por edhe do të ulte shpenzimet bashkiake për pagesat e administratës dhe mirëmbajtjen e tyre.
Në mbledhjen e ardhshme pritet që Këshilli Bashkiak i Durrësit të vendosë lidhur me privatizimin e Uzines Mekanike Bujqesore, Makinen Impeks dhe Bibliotekën e Fëmijëve, bazuar dhe në shkresat përkatëse të dërguara nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë, si rezultat i kërkesave të bëra nga pronarët e trojeve mbi të cilat janë ngritur godinat, dikur të shtetëzuara dhe sot në pronësi të bashkisë së qytetit bregdetar.
Top Channel