Ban Ki Moon dënon sulmet në Siri

07/04/2012 03:50

Kreu i OKB-së, Ban Ki-moon, ka dënuar qeverinë siriane për sulme të reja ushtarake, pavarësisht marrëveshjes të aprovuar për t’i dhënë fund dhunës.

Ban Ki Moon tha se afati i 10 prillit për armëpushimin, nuk është një justifikim për të vazhduar vrasjet nga forcat besnike të presidentit, Bashar Al-Asad.

Aktivistët thonë se të paktën 100 njerëz janë vrarë gjatë dy ditëve të fundit pasi trupat intensifikuan operacionet. Më parë, Turqia kërkoi ndihmën e OKB-së pas një rritjeje të numrit të refugjatëve të ardhur.

Pasi foli me Ki Moon, ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu deklaroi se nurmi i refugjatëve është dyfishuar që kur zoti Assad ra dakord të implementonte planin e OKB-së dhe Ligës Arabe.

Plani 6-pikësh, i ndërmjetësuar nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, parashikon një armëpushim të pjesshëm nga të gjitha palët më 10 prill, që të pasohet nga një armëpushim total më 12 prill.

Gjithësesi, opozita siriane, Shtetet e Bashkuara dhe shumë figura të tjera rajonale kanë shprehur skepticizmin e tyre mbi mundësinë e implementimit të planit nga Damasku.

Në fjalimin e ditës së premte, Ki Moon deklaroi se sulmet e fundit ndaj civilëve shkelin kërkesat e parashtruara nga Kombet e Bashkuara dhe i kërkoi qeverisë që të ndalë operacionet ushtarake.

“Dënojmë sulmet e autoriteteve siriane ndaj civilëve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, pavarësisht angazhimeve të marra nga qeveria për të ndalur përdorimin e armatimeve të rënda në zonat e banuara”, u shpreh Ki Moon. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA