Lëvizja Vetëvendosje ka bojkotuar të premten vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, ndërsa rikthimi i saj, sipas zyrtarëve të këtij subjekti politik pritet të bëhet në seancën e ardhshme.

Bojkotimi i punimeve të Kuvendit nga Vetëvendosje erdhi gjatë së enjtes kur pas dy pauzave për konsultime, vetëm dy subjektet politike, LDK dhe AAK vendosën të riktheheshin në sallë, pasi u hoq nga rendi i ditës projekt/ligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare.

Vetëvendosje, kundërshtonte hyrjen në rend dite edhe të dy ligjeve tjera, atë për ndërmarrjet publike dhe për ndërtimet.Visar Ymeri, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, një ditë më pas tha se ka pasur trysni nga zëvëndës/ambasadori amerikan, Micheal Murphy, i cili ishte prezent në takimin e kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare. Sipas Ymerit ai ka shprehur ato që ka dashur të thotë dhe ka lëshuar takimin.

“Ka kërkuar dhe ka këmbngulur që ligji për ndërtimin dhe ligji për ndërmarrjet publike të futet në seancën e djeshme domosdoshmërit dhe të votohet në seancën e djeshme domosdoshmërisht. Asnjë arsyetim për këtë gjë pse është kaq i rëndësishëm të votohet ai nuk ka dhënë. Dhe në këtë drejtim konsideroj që trysnia ndryshe nuk duket përpos kështu”, deklaroi  Visar Ymeri, kreu i grupit parlamentar, VV.

Por, ndryshe nga Ymeri shprehet Ardian Gjini, kreu i grupit parlamentar të AAK-së, i cili ishte prezent në takimin ku mori pjesë edhe zëvëndës/ambasadori amerikan.

“Na ka treguar se çka mendon Amerika për disa çështje që ne jemi duke u marrë tani, dhe ka dalë. Edhe marrëveshjen mes partive politike e kemi bërë pasi ka dalë z. Murphy. Kush nënkupton presion është punë e tyre. Unë nuk mund t’ju them asgjë tjetër, por marrëveshja mes partive politike ka ardhur pasi  z. Murphy ka dalë nga takimi”, tha zoti Gjini.
 
Top Channel është munduar të marrë edhe një qëndrim të kreut të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili ka qenë në takim, por nuk ka arritur pasi Beqiri ndodhej në një udhëtim jashtë vendit.
 
Sidoqoftë, Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë ligjin për ndërtimet, i cili u miratua në shyqrtimin e parë, të enjten, meqë sipas saj, nuk mbron interesin e qytetarëve.

Liburn Aliu, deputet i VV shpjegon se projektligji i ndërtimit i sapokaluar në Kuvend në qendër të tij nuk e ka qytetarin. Në qendër të tij është të bërit biznes dhe në formën e tij më brutale të mundshme. Biznesit i përshtatet ligji për ndërtim, i cili është në kundërshtim me planin hapësinor dhe ligjin për planifikim hapësinor.

Top Channel