Refugjatët, Turqia i ankohet OKB-së

06/04/2012 20:25

Me shtimin e fluksit të të shpërngulurve nga Siria, Turqia paralajmëron OKB-në se mund të ketë nevojë për ndihmë nëse situata nuk përmirësohet shpejt.

Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm Ban Ki Moon, shefi i diplomacisë turke Ahmet Davutoglu tha se çështja e refugjateve po kthehet në një problem ndërkombëtar.

“Numri i refugjatëve ka arritur në gati 24.000. Vala e njerëzve thuajse është dyfishuar brenda një jave dhe kjo pikërisht pas premtimeve të dhena zotit Anan nga regjimi në Siri”, deklaroi Davutoglu.

Vetëm gjatë 36 orëve të fundit, numri i sirianëve që i largohen dhunës në vendin e tyre e zgjedhin të kalojnë kufirin e vendit fqinj është 2.800.

“Do t’i kërkojmë Kombeve të Bashkuara të përfshihen në ndihmën humanitare dhe në përgjithësi, në problemin e refugjatëve. Do të punojmë në anën teknike të çështjes, sepse është diçka që duhet parë me kujdes. Për çdo rast, ne presim që angazhimet e marra të përmbushen. Është e një rëndësie kyçe që operacionet të ndalojnë menjëherë dhe njësitë ushtarake siriane të tërhiqen nga qytetet”, u shpreh ministri i Jashtëm turk.

Pavarësisht paralajmërimeve të OKB-së, dhuna në Siri është përshkallëzuar sërish. Aktivistët e opozitës siriane flasin për përleshje të reja mes trupave qeveritare dhe forcave rebele në periferi të Damaskut, në rajonin qendror të Homsit dhe në Hama.

Përplasje të egra shpërthyen në Homs pasi forcat qeveritare hapën zjarr mbi një grup grash, duke vrarë dy prej tyre e duke plagosur katër të tjera.

Bashar al Asad ra dakort në 25 mars me planin e paqes së të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Sirinë, Kofi Annan. Por vetë hartuesi i planit tha në Gjenevë se qeveria siriane ka bërë pak përparim në ndalimin e operacioneve shtypëse kundër disidentëve.

Në fakt, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende rajonale janë shprehur që në fillim skeptike përsa i takon angazhimit të Sirisë ndaj kësaj nisme, e cila kërkon ndër të tjera vendosjen e një armëpushimi të pjesshëm në 10 prill dhe atë të një armëpushimi të plotë 48 orë më vonë.

Por afrimi i këtij afati, sipas korrespondentëve, në zona si Homsi apo Idlibi, të kthyera praktikisht në fushëbetejë, në vend që ta reduktojë dhunën, e ka përshkallëzuar edhe më shumë atë.

Aktivistët thone se pavarësisht të gjithave, regjimi po përpiqet ta çojë deri në fund ofensivën e tij, ndërsa zyrtarët qeveritarë pretendojnë se janë rebelët ata që po shfrytëzojnë tërheqjen e pritshme të ushtrisë nga qytetet dhe fshatrat.

Top Channel