Polonia pranon ekzistencën e burgjeve të CIA-s

06/04/2012 12:50

Polonia konfirmoi të premten ekzistencën e një burgu sekret të CIA-s në territorin e saj në vitet 2002-03.

Për disa vite, Varshava zyrtare e kishte mohuar praninë e një qëndre të tillë të mbajtjes së të dyshuarve si terroristë për llogari të amerikanëve, por presioni mbi vendin e Europës Lindore ishte rritur pas publikimit të një kabllogrami sekret nga “Wikileaks”, që fliste pikërisht për këtë qendër.

Siç raportoi e përditshmja më e madhe polake “Wiadomosci”, pas një debati politik, kryeministri Donald Tusk u detyrua të pranonte se ish-kreu i Shërbimeve Sekrete të Polonisë, Zbigniew Siemiatkowski, ka qenë i ngarkuar me rolin e ndërtimit të burgjeve sekrete të CIA-s.

”Polonia është shndërruar në një viktimë të rrjedhjes së informatave sekrete nga zyrtarë të SHBA-ve, por mund t’iu garantoj se në çdo rrethanë dhe në çdo burg në vend është respektuar çdo ligj kombëtar dhe ndërkombëtar”, deklaroi presidenti Branislaw Komorowski.

Më parë, ekzistenca e një burgu sekret ishte zbuluar edhe në Rumani. Administrata e presidentit George W. Bush ngriti disa qëndra të tilla, që shërbenin për marrjen në pyetje dhe mbajtjen e të dyshuarve si terroristë, përpara dërgimit të tyre në burgje amerikane, Guantanamo.

Top Channel