Piratët, lirohet anija kineze e marrë peng

06/04/2012 21:30

Të 28 anëtarët e ekuipazhit të një anijeje kineze të marrë peng nga piratët në Gjirin e Omanit, në brigjet e Iranit, është shpëtuar, bëjnë të ditur mediat kineze.

Anija ishte sulmuar nga piratë somalezë mëngjesin e së premtes në afërsi të portit iranian të Çabaharit, njofton agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Qeveria kineze i kërkoi menjëherë autoriteteve iraniane që të ndërmerrnin hapat e duhur për të shpëtuar ekuipazhin. Megjithatë, detaje mbi operacionin e shpëtimit nuk janë bërë të ditura.

Në vitet e fundit piratët somalezë kanë zgjeruar rrezen e operacioneve të tyre përtej oqeanit Indian, duke sulmuar këdo që u del përpara.

Anijet kineze janë sulmuar disa herë nga piratët teksa kalojnë ujërat territoriale në Detin Arab. Kina luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në operacionet detare për luftimin e piraterisë në brigjet e Somalisë.

Muajin e kaluar ishin vendet e Bashkimit Evropian që ranë dakord të zgjasnin misionin kundër piratëve somalezë, duke lejuar forcat ushtarake të sulmojnë objektivat në tokë dhe det.

Me një zgjatje prej 2 vjetësh të misionit, ministrat e Mbrojtjes të BE-së ranë dakord se anijet luftarake mund të sulmojnë varkat dhe depot e karburanteve në dispozicion të piratëve.

Top Channel