Gjykata e qarkut në Prishtinë refuzoi kërkesën e prokurorisë për shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak për deputetin Fatmir Limaj dhe paraburgimin për tre bashkëluftëtarët e tij.

Fatmir Limaj, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala do të vazhdojnë të mbrohen në liri. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se prokurori në kërkesën e tij kishte ardhur në përfundim se katër të akuzuarit duhet të burgosen për shkak të rritjes së rrezikut për frikësimin e dëshmitarëve.

Por sipas trupit gjykues, prokurori special nuk i është referuar asnjë rrethane që çon në përfundimin se dëshmitarët janë në rrezik, dhe se ekziston rreziku se të akuzuarit do të arratisen apo mundësia tjetër se ata mund të kryejnë ndonjë veper të re penale.

“Ajo çka parashtron prokurori special, në fakt është një përfundim abstrakt, jo i mbështetur në ndonjë adresim faktik. Që të përmbushet kushti i nenit 281, “rreziku i përcaktuar nuk mund të jetë i përgjithësuar”, duhet të ketë prova për të mbështetur pretendimin e rrezikut. Prokurori special në kërkesën e tij nuk paraqet një informatë apo provë të tille”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Disa nga shkresat e fundit të Prokurorisë Speciale mbajnë firmën e prokurorit Charles Hardaway dhe jo të Maurizio Salustros, i cili e kishte ngritur aktakuzën.

Ky i fundit madje ka munguar edhe në seancën e fundit kur gjykata vendosi për lirimin e gjashtë dhe vazhdimin e proçesit ndaj katër të akuzuarve.

Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj tha se mbrojtja nuk është njoftuar për largimin e Salustros apo për tranfserim të lëndës te një prokuror tjetër dhe se kjo nuk paraqet pengesë ligjore.

Sidoqoftë, me apo pa Salustron, pala mbrojtëse mirëpret vendimin e gjykatës. Duke komentuar mbi shkresën e fundit të prokuorirsë, se nuk do të modifikohet aktakuza me prova të reja, avokati Tahir Rrecaj tha se pret përfundimin e proçesit dhe lirimin e Fatmir Limajt dhe tre të tjerëve.

Top Channel