Kinë, partia paralajmëron ushtrinë

06/04/2012 21:10

Gazeta zyrtare e ushtrisë kineze ka paralajmëruar ushtarët që të injorojnë zërat që kanë qarkulluar së fundmi në internet dhe të ruajnë besnikërinë ndaj partisë.

Paralajmërimi vjen pas arrestimit të gjashtë personave dhe mbylljen e 16 faqeve të internetit javën e kaluar, për shkak të zërave për organizimin e një grushti shteti.

Një web site i krahut të majtë që shprehu mbështetje për liderin politik të shkarkuar, Bo Xilai, është fikur gjithashtu nga autoritetet. Lëvizjet mendohet të jenë të lidhura me ndryshimin e lidershipit të Kinës që do të bëhet më vonë gjatë vitit.

Faqja kryesore e gazetës ushtarake i bënte thirrje ushtrisë që t’i kushtonte vëmendje të veçantë impakteve të internetit dhe telefonave celularë tek mendjet e ushtarëve.

Gazeta theksonte gjithashtu lidershipin “absolut” të partisë mbi forcat e armatosura, duke u bërë thirrje trupave që “t’i rezistonin çdo pushtimi të gabuar ideologjik, zërave të rremë dhe fraksioneve që shkojnë kundër rrymës”.

Gjithësesi, gazeta nuk përmendte zërat që qarkulluan në internet për një grusht shteti javën e kaluar. Kina do të përballet me riformatimin e lidershipit më vonë gjatë vitit, aktivitet ky që ndodh një herë në dekadë.

Shkarkimi i Bo Xilai, ish-shefi i partisë në provincën Çonging, ka nxjerrë në pah ndasitë politike që ekzistojnë prapa skenave.

Xilai u shkarkua pas zërave se shefi i policisë së krahinës së tij, njëkohësisht aleati i tij, ishte përpjekur të kërkonte azil në konsullatën amerikane.

Top Channel