Misioni evropian për rendin dhe ligjin, EULEX, aktualisht është duke hetuar mbi 90 çështje të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i misionit, Nicolas Hawten, i cili në një prononcim për “REL” ka nënvizuar se EULEX po heton dhe do të hetojë çështje serioze që arrijnë në rangjet më të larta zyrtare.

“Nuk mund të bëj publike detajet e hetimeve apo emrat e personave që janë nën hetim, por mund të them se EULEX do të hetojë çdo rast serioz që ka të bëjë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, kudo që ndodhin këto krime dhe këdo që është i përfshirë në to”, deklaroi Hawten.

Disa ditë më parë, me urdhër të prokurorëve të EULEX-it, ra në pranga shefi i task forcës kundër korrupsionit, Nazmi Mustafi, i cili bashkë me disa persona të tjerë dyshohet se ka abuzuar me detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Ky arrestim nxiti reagimin e kryeprokurorit të shtetit Ismet Kabashi, qeverisë dhe shoqërisë civile. Në një komunikatë për media Kabashi tha se ekzistojnë informata të cilat e inkriminojnë prokurorin e arrestuar edhe për raste të tjera, për të cilat ai kërkoi ndihmën e qytetarëve. 

Top Channel