Presidenti venezuelian, Hugo Chavez është rikthyer në atdhe pas trajtimit të radhës që kreu në Kubë kundër kancerit, sëmundje që po e vuan prej muajsh.
Mediat vendase njoftojnë se presidenti kërkoi të ishte në atdhe me rastin e kremtimit të Pashkëve. Chavez vizitoi vendlindjen e tij, shtetin e Barinas në perëndim të Venezuelës ku mori pjesë në një ceremoni kishtare në pritje të Pashkëve katolike.
Në meshën e mbajtur, Chavez, i veshur sportiv, u shfaq i përlotur. Ai tha se i kishte kërkuar Zotit më shumë kohë. “I kërkoj Zotit ditët e nevojshme për të çuar deri në fund atë që kam nisur”, komentoi shkurt për mediat presidenti Chavez.
57-vjeçari u diagnostikua me një tumor malinj në zonën e legenit në vitin 2011 dhe që prej atëherë i është nënshtruar dy operacioneve kirurgjikale, si dhe disa seancave të kimioterapisë dhe radioterapisë.
Në zgjedhjet që do mbahen në muajin tetor, Chavez, i cili kërkon një mandat të ri 6-vjeçar për të vazhduar “revolucionin socialist”, do të përballet me një kandidat të fortë nga opozita, liderin e saj, Henrique Capriles Radonski.
Top Channel