Big Brother, historia e Ermalit me Françeskën

06/04/2012 19:20

Ermali hyri që javën e parë në shtëpinë e Big Brother. Në javën e tretë ishte një garë e fortë për konkurrentë të rinj. Në
balotazh ishte një zonjë dhe një zonjushë. Liami, si një orakull i
vërtetë këmbëngul që të futet zonjushë Françeska pasi ajo përshtatej më
mirë me grupin e do të çorodiste mendjen e misterit gjaknxehtë.

Parashikimi nuk vonoi shumë të dilte pasi të pasnesërmen e hyrjes së saj, Françeska nuk po turbullonte vetëm ditët e Ermalit, por po i trazonte edhe netët. Që nga puthja e tyre e parë është thënë çdo gjë e mundur për këtë lidhje: dashuri e zjarrtë, marrëdhënie për interes, lojë, fejesë nonsens dhe çdo gjë tjetër.

Por ende sot e kësaj dite askush nuk vë dot bast për çiftin më simpatik të shtëpisë së Big Brother. Ama disa fakte janë të sigurta: të dy pëlqehen shumë dhe kanë mirëkuptim mes tyre. Nëse është një strategji loje, atëherë aq më keq për banorët e tjerë sepse do të jetë shumë e vështirë t’ua heqësh 100 milionëshin nga duart.

E pastaj vjen krushqia. Fjalët e bukura kanë fluturuar sa andej-këndej nëpër gazeta e televizione. Prindërve të Ermalit u duket simpatike Françeska dhe prindërve të kësaj të fundit nuk do t’u mbetej hatri për një dhëndërr si Ermali.

Në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’, babai i Ermalit u shpreh: “Jam krenar për Ermalin. Njerëzit flasin fjalët më të mira për të. E ndjekim 24 orë në 24. Nuk më vjen mirë vetëm kur nervozohet. Për gjërat që nuk janë të sinqerta ai e humb kontrollin. Françeska është konkurrente e fortë, por ai ka hyrë për 100 milionë aty.”

Ndërsa babai i Françeskës, në lidhje direkte nga Vlora, tha për lidhjen e vajzës së tij: “Ne e ndjekim Françeskën dhe na duket shumë mirë. Është tipike vlonjate, shumë e hedhur dhe është vetvetja aty. Ajo është e pjekur dhe di vetë çfarë bën në shtëpi.”

Fakt është që vajza nga Vlora është paragjykuar për nxitimin, por fundja kujt i bëhet vonë, të rinj janë.  Ulje e ngritje ka patur shumë, afrime, largime, sërish puthje e më tej edhe darka romantike.

Por një gjë është e sigurtë: duket se kjo histori dashurie nuk i ka thënë akoma të gjitha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA