Grekët u tronditën nga historia e 77-vjeçarit Dimitris Kristulas (Dimitris  Christoulas) , i cili i dha fund jetës me një plumb në kokë në “Sheshin Sintagma”  përpara godinës së parlamentit në Athinë.

Përmes një letre, ai akuzonte qeverinë se i kishte shkurtuar pensionin dhe brenga më e madhe ishte të mos i linte asnjë borxh familjes.

Qindra protestues u përleshen me policinë mbrëmjen e së mërkurës në sheshin përpara parlamentit, ku kohët e fundit janë zhvilluar protesta masive. Grumbullimi nisi si një homazh për 77-vjeçarin. Buqeta me lule dhe plot mesazhe të shkruar u vendosën në vendin ku ai bëri vetvrasjen. Por më pas protestuesit nisën të qëllojnë me gurë dhe bomba artizanale policinë e cila iu përgjigj me gaz lotsjellës.

Kryeministri grek, Lukas Papademos, përmes një deklarate, e cilësoi vetvrasjen “tragjike”. “Në këto orë të vështira të shoqërisë, ne të gjithë, shteti dhe qytetarët duhet të mbështesim njerëzit që janë të dëshpëruar”.

Evangelos Venizellos, kreu i partise socialiste PASOK, u bëri thirrje kolegëve të mos bëjnë deklarata politike, por të dëshmojnë solidaritet. Udhëheqësi i partise konservatore “Demokracia e Re”, Antonio Samaras tha se politikanët duhet të bëjnë më shumë për të nxjerrë njerëzit nga dëshpërimi.

Sic raporton media greke, Dimitris Kristulas, ishte një kimist që kishte dalë në pension, i martuar me një vajzë. Kishte shitur farmacine e tij në vitin 1994. Në letër ai shpjegonte: “Qeveria zhduku cdo gjurmë të mbijetesës sime, e mbështetur në një pension dinjitoz, të cilin e pagova vetë për 35 vjet, pa më të voglën ndihmë nga shteti. Dhe meqë mosha ime nuk më lejon të veproj në mënyrë dinamike, nuk shoh asnjë zgjidhje, veç këtij fundi dinjitoz, kësisoj asnjëherë nuk do të gërmoj në kazanët e mbeturinave për bukën e gojës”.

Masa të shumta ekonomike janë marrë në Greqi për të përmbushur planin e shpëtimit, që vendi mos të shpallë falimentin. Mijëra nëpunes civile kanë humbur vendin e punës, taksat janë rritur, pagat janë reduktuar, po kështu edhe pensionet. Në vitin 2010 vetvrasjet u rriten me 18 % nga një vit më parë. Vetëm në Athinë, vitin e kaluar vetvrasjet e kaluan 25 %.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA