Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri i ka cilësuar si dhunim të
sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës arrestimet e
policëve kosovarë nga policia serbe.

Në një takim të zhvilluar me ambasadorin gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, zonja Tahiri vlerësoi se veprimet e Beogradit bien ndesh me standartet evropiane për fqinjësinë e mirë.

Ndër të tjera, bën të ditur RTK, Tahiri akuzoi qeverinë serbe se nuk po zbaton marrëveshjet e arritura, duke nënvizuar se nuk ka nënshkruar ende protokollin teknik për menaxhimin e integruar të kufijve.

Nga ana e saj, shtoi zëvendëskryeministrja, qeveria dhe institucionet e Kosovës i janë përgjigjur me maturi provokimeve të Serbisë.

Ndërkohë, ambasadori gjerman u shpreh se vendi i tij po ndjek me vëmendje situatën politike në rajon dhe sidomos respektimin e marrëveshjeve, që sipas tij janë jetike për të ardhmen evropiane të dy vendeve.

“Anulimi i zgjedhjeve serbe në veri dhe shpërbërja e strukturave paralele atje janë kushte të cilat Serbia duhet t’i plotësojë patjetër”, deklaroi Reichel.

Më tej, diplomati vlerësoi angazhimin e Prishtinës në dialogun dypalësh dhe në plotësimin e pakteve që rrjedhin prej tij, si dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes së vendit të tij.

Situata e krijuar në veri me arrestimin e dy policëve kosovare u trajtua edhe në takimet që kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi zhvilloi me kongresmenët amerikanë që po vizitojnë Prishtinën.

“Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti”, u tha Krasniqi kongresmenëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA