Protestuesit janë përleshur me policinë në kryeqytetin grek, Athinë, disa orë pasi një pensionist u vetëvra përpara selisë së Parlamentit.

Qindra demonstrues u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës në sheshin jashtë Parlamentit, që ka qenë edhe skenë e protestave të mëdha në muajt e fundit.

Dhuna shpërtheu kur protestuesit hodhën bomba molotov ndaj forcave të rendit, të cilat nga ana e tyre u përgjigjën me gaz lotësjellës.

Depresioni dhe vetëvrasjet raportohet se janë rritur ndjeshëm në Greqi, në një kohë kur qeveria e vendit ka prezantuar masa të rrepta anti-krizë, për t’u përballur me borxhin e thellë.


Personi 77-vjeçar që vrau veten
në sheshin Sintagma mëngjesin e së mërkurës kishte lënë një letër ku akuzonte qeverinë se i kishte shkurtuar në zero pensionin.

Qytetarë të shumtë kanë vendosur lule në vendin ku i moshuari vdiq dhe homazhe të shumta për të u bënë edhe në internet. Personi nuk është identifikuar ende zyrtarisht, por në mediat greke ka qarkulluar emri Dimitris Christoulas.

Thuhet se ai ishte një kimist që kishte dalë në pension, i martuar dhe me një vajzë, dhe që e kishte shitur farmacinë në vitin 1994. Ai e qëlloi veten me pistoletë në qendër të sheshit, pak para orës 09:00 me orën lokale, raportuan mediat greke të mërkurën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA