Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi raporti në Kuvend  mbi rrëmbimin e dy policëve në kufirin Kosovë-Serbi. Ai mbrojti përdorimin e termit “rrëmbim”, pasi incidenti sipas tij ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe kjo është vërtetuar pas daljes disa herë në terren.

“Edhe kësaj radhe ishte konstatuar, njësoj si më parë, dy zyrtarët policorë konfirmuan vendndodhjen e rrëmbimit dhe sipas tyre, i njëjtë, rreth 120 metra në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas Rexhepit, pavarësisht se përcaktimi i vijës kufitare me Serbinë nuk është bërë ende, Policia e Kosovës patrullon bazuar në hartat të cilat janë në posedim të KFOR-it.

Më tej, Rexhepi ka thënë se të gjitha pajisjet që kishin policët kufitarë, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, dhe vetura e tyre janë konfiskuar nga xhandarmëria serbe, dhe se policët nuk janë keqtrajtuar.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Mbikqyre të FSK-së, Ahmet Isufi, që vjen nga radhët e AAK-s tha se per kete ngjarje qeveria e tanishme është mirë të jape dorëheqje.

“Uniforma është simbol, është cënuar shtetit, prandaj kjo qeveri më mirë është të lëshojë rrugën të japë dorëheqjen në mënyrë që forcat progresive të Kosovës ta cojnë vendin përpara”, deklaroi Ahmet Isufi, deputet  i AAK-së.

Anton Çuni, ekspert i sigurisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, veprimin e xhandarmërisë serbe e ka cilësuar si agresion, ndërsa ka kritikuar drejtuesit politik të Kosovës për mungesë të vigjilencës.
 
“Ata ishin vija e parë e viktimizimit, falë papërgjegjshmërisë dhe mungesës së vigjilencës së drejtuesve të tyre politikë”, tha Anton Çuni, deputet, LDK.           

Ndryshe nga partitë opozitare, në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, në PDK, kanë vlerësuar maturinë e treguar nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

Në anën tjetër, Vetëvendosje nuk mori pjesë në seancë pasi që më parë e kishte braktisur atë për shkak të kundërshtive në lidhje me procedimin e disa projektligjeve.

Top Channel