Rama: Reforma zgjedhore, PD s’ka vullnet

05/04/2012 16:40

Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë për radion “Europa e Lirë” vlerësoi se qëndrimi i dy partive më të mëdha në vend në lidhje me reformën zgjedhore është ende kryekëput i kundërt.

Në fjalën e tij, Rama rikonfirmoi qëndrimin e tij përjashtues ndaj një alence të mundshme me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në të njëjtën kohë që paralajmëroi se çështja “Seseri” rrezikon të prishë progresin e krijuar nga rikthimi i debatit politik në Kuvend.

Një tjetër pikë thelbësore në të cilën u përqendrua lideri kryesocialist gjatë intervistës ishte zgjedhja e presidentit, për të cilin ritheksoi qëndrimin e njohur të PS-së, për një “president konsensual, i cili të jetë mbi palët”.

Reforma zgjedhore – ”Reforma elektorale është një ndër 12 prioritetet për fitimin e statusit të vendit kandidat, por fatkeqësisht, kemi ende ndasi të mëdha me Partinë Demokratike për mënyrën se si duhet të realizohet kjo reformë”, deklaroi Rama.

”Ne duam një përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të rritjes së transparencës dhe të përfaqësimit të të gjithë votuesve përmes të gjitha subjekteve elektorale. Ndërsa, pala tjetër është krejtësisht e mbyllur në këtë pikë. Shpresoj të mos kemi shtyrje të këtij debati pasi është thelbësore që reforma të mbyllet se më shpejt, për të bërë të mundur futjen e teknologjisë në votime, si identifikimi apo numërimi elektronik”.

Raporti me LSI-në – I pyetur për mundësinë e një aleance me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e vitit 2013, Rama u tregua kategorik: “LSI-ja është pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne nuk shohim asnjë dallim që të na bëjë të mendojmë çfarëdo skenari tjetër, përveç skenarit të marrjes së të gjitha votave të popullit shqiptar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të më shumë se 71 mandateve për të qeverisur Shqipërinë”.

Sipas Ramës, “shqiptarët do të kenë të qartë dy programe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, atë të një rilindje shqiptare apo atë të rrënimit të mëtejshëm të ofruar nga koalicioni qeverisës, në të cilin LSI është një pjesë thelbësore”.

Presidenti – Ndonëse kushtetuta nuk e detyron mazhorancën që të kërkojë mbështetjen e opozitës nëse siguron 71 vota për zgjedhjen e presidentit, Rama theksoi se është në të mirë të vendit që të zbatohet fryma kushtetuese që e përcakton kreun e shtetit si “simbol të unitetit kombëtar”.

”Ky është kriteri themelor i Presidentit, që të jetë mbi palët dhe të përfaqësojë bashkimin kombëtar”, deklaroi Rama. “Nëse ai do të zgjidhet thjesht nga votat e shumicës, atëherë nuk do të jetë në gjendje të përfaqësojë kombin, pasi do të jetë palë e një partie”.

Çështja Seseri – Në intervistën e tij për radio “Europa e Lirë”, kryesocialisti u ndal edhe në çështjen kryesore të momentit, atë të mandatit të lënë bosh nga dorëheqja e deputetes Rudina Seseri. Debati me mazhorancën për mënyrën se si duhet të realizohet zëvendësimi, është shndërruar në një betejë të ashpër dhe të ndërlikuar ligjore, e cila sipas Ramës, duhet të merret me shumë seriozitet.

”Opozita nuk ka asnjë arsye përse të drejtohet në një gjykatë, sepse është detyrim kushtetues dhe ligjor që në rast dorëheqje të një deputeti, zëvendësimi të bëhet në mënyrë automatike. Kjo është një çështje thelbësore, që minon demokracinë në vend”, theksoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA