
Për herë të parë në historinë e tij, një shtet me rregulla të rrepta
islamike si Katari, do të dërgojë një kontigjent sportistesh femra në
Lojërat Olimpike.
Notarja 17-vjeçare Nada Arkaji është një prej pretendenteve për të shkruar historinë e shtetit në Olimpiadën e Londrës këtë verë. Ajo ka nisur prej disa muajsh stërvitjen intensive në pishinën olimpike të Dohas edhe pse shihet me skepticizëm nga pjesa më e madhe e njerëzve në vendin e saj.
Katari ka shpresa të mëdha për të organizuar një Olimpiadë në vitet e ardhshme dhe sportistët pjesëmarrës në turneun këtë verë do të kenë edhe rolin e ambasadorëve për të joshur drejtuesit. Doha e humbi garën për Olimpiadën e 2016, por tani është në garë me Tokion, Madridin, Stambollin dhe Bakun për të organizuar Olimpiadën e vitit 2020.
“Jam krenare që jam sportistja e vetme femër që do të përfaqësoj vendim tim në këtë turne. Inkurajoj të gjitha sportistet femra që të realizojnë ëndrrat e tyre, sidomos në disiplinën e notit” tha Nada Arkaji. Ajo nuk ka iluzione për të marrë medalje në olimpiadë, por fitorja e saj për të thyer një tabu për Katarin, mund të quhet një sukses, pa filluar ende Lojërat e Londrës.
Top Channel