Deputetët e mazhorancës i kanë dhënë dritë jeshile projekt-ligjit të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndryshimin e Ligjit për tekstet shkollore. Sipas deputetit të BDI-së Talat Xhaferi, ndryshimet parashikojnë përmirësimin e gjendjes me tekstet shkollore në Maqedoni.

Me këto ndryshime, Ministrit të Arsimit i jepet e drejta për të tërhequr librat me përmbajtje fyese për ndonjë bashkësi etnike.

“Këshilli recensues mban përgjegjësi materiale nëse lejon që një tekste në përmbatjen e vet të ofendoj qytetarët e Maqedonisë. Efekti tjetër është se Ministrit të Arsimit, me plotësimin e nenit 26, i krijohet obligim ligjor që nga përdorimi të hiqen ato libra që kanë përmbatje fyese për të tjetër, gjë që nuk ka ekzistuar deri tani”, deklaroi deputeti Talat Xhaferri.

Por, deputëtët e opozitës shqiptare vlerësojnë se ndryshimet janë sipërfaqësore dhe nuk parashikojnë tërheqjen e teksteve me përmbajtje fyese për shqiptarët nga përdorimi.

“Partia Demokratike Shqiptare kërkon që këto tekste urgjentisht të hiqen nga përdorimi dhe deri atëherë nxënësit shqiptarë të mësojnë nga tekstet shkollore që përdoren në hapësirat mbarë-shqiptare”,tha nga ana tjetër deputetja e PDSH-së, Merale Ferati-Uzeiri.

“Të gjitha librat ku shkruhet për kulturën për historinë e popujve, bashkësive etnike, posaçërisht të shqiptarëve në RM të shkruhen nga autorë shqiptarë. Propozimi tjetër është që të bëhet liberalizimi i përdorimit të librave, mos të kemi përdorim të librave si në monizëm”,deklaroi deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri.

Sipas partive opozitare PDSH dhe RDK, nxënësit edhe në vitin e ardhshëm shkollor do të mësojnë nga tekstet e njejta ku ofendohen shqiptarët, pasi në buxhetin e shtetit nuk janë parashikuar mjete për libra të rinj.

Top Channel