Fjala e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë para parlamentit maqedonas ka shkaktuar debate mes historianëve maqedonas dhe atyre shqiptarë në vendin fqinj.

“Vitin e kaluar keni festuar 20-vjetorin e pavarësisë, ditëlindje e bukur për qytetaret e Republikës së Maqedonisë. Këtë vit ne shqiptarët festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festojmë 100-vjetorin e flamurit tonë. Në këtë përvjetor kujtojmë me respekt dhe nderim kontributin që dha popullsia e kësaj treve në çlirimin nga sundimi osman. Ishte pikërisht këtu kur në shkurt 1844, 10. 000 kryengritës nën drejtimin e Dervish Carës, çliruan Shkupin dhe paraqitën kërkesën e parë për autonomi. Që nga ajo kohë Shkupi, Manastiri dhe Dibra u bënë nga qendrat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar”, deklaroi zonja Topalli.

Ky paragraf i shkëputur nga fjala e kryeparlamentares Topalli, ka nxitur reagimin e historianëve maqedonas të Institutit të Historisë në Shkup. Maqedonasit pretendojnë se nuk ka asnjë të vërtetë, asnjë fakt historik që të mbështesë deklaratën e zonjës Topalli. Ata madje e quajnë figurën e Dervish Carës si bashkëpunëtor të Perandorisë Osmane dhe pa asnjë kontribut në lëvizjet kryengritëse, përveçse të kundërtës, shtypjes së tyre.

Por historianët shqiptarë thonë se deklarata e zonjës Topalli është e lëshuar në bazë të fakteve historike, në bazë të dokumenteve dhe të shtypit serb të kohës, e madje edhe në bazë të vetë dokumenteve zyrtare maqedonase.

Top Channel