“Kony 2012”, publikohet seria e dytë

05/04/2012 16:10

Grupi aktivist amerikan “Fëmijët e Padukshëm” ka lëshuar në internet një video të dytë që rrëfen aktivitetin kriminal të liderit të rebelëve ugandezë, Joseph Kony.

Dokumentari i parë 30 minutësh regjistroi një sukses të bujshëm, duke u ndjekur nga më shumë se 100 milionë persona në internet, në pak javët e para pas publikimit të tij. Në kuadrin e një fushate ndërgjegjësimi botëror, ai u transmetua edhe në ekranin e “Top-Channel”.

Pjesa e dytë e serisë është realizuar pa ndihmën e bashkëthemeluesit të grupit, i cili pësoi një krizë mendore pasi pa videon e parë, në të cilin tregohej se si Kony rrëmben fëmijë, për t’i detyruar më pas që të vrasin në mënyrë brutale prindërit e tyre.

Sipas aktivistëve, pjesa e dytë do të jetë një plotësim i së parës, me më shumë dëshmi rrënqethëse që ilustrojnë më qartë aktivitetetin barbar të Kony, i vetëshpallur si lideri i “Ushtrisë së Rezistencës së Zotit”.

Kjo organizatë vepron në disa shtete të Afrikës Lindore dhe ka rrëmbyer me dhjetëra mijëra fëmijë, me vajzat që i ka shndërruar në skllave seksi dhe djemtë në ushtarë.

Disa dhjetëra mijëra besohet se është edhe numri i viktimave të shkaktuar nga rebelët, ndërsa qindra mijëra janë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, të ndodhura në zonën në të cilën vepron URZ-ja.

Ndonëse “Kony 2012” ka sjellë një ndërgjegjësim masiv, ai ka marrë edhe kritika për “thjeshtëzimin” e problemit, ndërsa kryeministri i Ugandës, Amama Mbabazi, ka protestuar me argumentin se dokumentari e pasqyron në mënyrë të gabuar vendin e tij si ende në luftë me rebelët.

Top Channel