Gjermani-Zvicër, marrëveshje kundër evazionit

05/04/2012 15:45

Gjermania dhe Zvicra firmosën një traktat që do të shërbejë në luftën kundër evazionit fiskal, por është ende e diskutueshme nëse marrëveshja do të respektohet, pasi opozita ka kërcënuar me bllokimin e saj në Bundestag.

Nëse do të aprovohet, pritet që arkat e shtetit gjerman të pasurohen me 10 miliardë euro në vit, të paktën sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave.

Marrëveshja ndërshtetërore erdhi pas një debati të gjatë rreth shtetasve gjermanë, që i shpëtojnë taksave në vendin e tyre, duke fshehur të ardhurat në bankat zvicerane. Për shkak të sekretin bankar, nuk është e njohur shuma që gjermanët kanë depozituar në vendin fqinj, edhe pse besohet se bëhet fjalë për dhjetëra miliardë euro.

Ndonëse Gjermania është një prej vendeve më pak të prekura nga kriza financiare e Eurozonës, dhoma e lartë e Parlamentit ka kërkuar forcimin e rregullave kundër evazionit fiskal.

Pavarësisht se disa ndryshime ligjore janë realizuar, sipas liderit të socialdemokratëve në opozitë, Sigmar Gabriel, çdo marrëveshje është e kotë përsa kohë ajo nuk përfshin sanksione penale për ata që shkelin ligjin.

”Problemi kryesor mbetet i pazgjidhur. Ata që mashtrojnë shtetin do të vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar. Marrëveshja, vetëm sa i thotë këtyre personave që të largojnë paratë nga Zvicra për në ndonjë “parajsë” tjetër bankare”, deklaroi Gabiel.

Top Channel