Gjermani, kërcënim për sulme terroriste

05/04/2012 00:00

Një faqe interneti islamike, e përdorur në të kaluarën nga Al Kaeda, ka publikuar një mesazh me kërcënime ndaj Gjermanisë.

Faqja Shumukh al Islam paralajmëron kancelaren Angela Merkel se, “duhet të mësojë nga vrasjet e Mohamed Merah në Francë, ndryshe do të ketë sulme të ngjashme në zemër të Berlinit”.

Në mesazh kërkohet gjithashtu lirimi i së “burgosurës myslimane” Oum Saif Allah al Ansariya, e dënuar në vitin 2011 me 2 vjet e gjysmë burg pasi mbështeti terroristët e Grupit të Sauerlandit.

Në Gjermani janë të pranishme disa celula terroriste islamike, të cilat në disa raste kanë organizuar atentate, të cilat janë shmangur nga policia dhe shërbimet sekrete.

Gjithashtu, autoritetet kanë mbyllur një seri xhamish ku dyshohej se besimtarëve frekuentues u bëhej propagandë islamike dhe anti-perëndimore.

Mohamed Merah vrau në Tuluz të Francës tre ushtarë në dy sulme të ndryshme, si dhe katër civilë, tre fëmijë dhe një mësues, në një shkollë hebraike në jug të vendit.


Ai u vra nga një snajper i forcave speciale
franceze pak ditë pas atentateve, pas një rrethimi 1-ditor të apartamentit të tij dhe pas dështimit të negociatave për një vetëdorëzim të mundshëm tek autoritetet.

Top Channel