Francë, manifesti ekonomik i Sarkozy

05/04/2012 15:30

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, përgatitet të publikojë “manifestin” e tij ekonomik, në kuadrin e fushatës në të cilën ai kërkon një mandat të dytë në krye të “Elysse”.

Publikimi i programit të detajuar ekonomik të Sarkozy vjen tre javë përpara raundit të parë të zgjedhjeve dhe sipas mediave franceze, publikimi i vonë i tij përbën një strategji zgjedhore.

Zgjedhet në Francë zhvillohen me dy raunde, në datat 22 prill dhe 6 maj. Dy fituesit e raundit të parë përballen në balotazhin vendimtar që cakton se kush do të drejtojë vendin në pesë vitet e ardhshme.

Sondazhet paraprake sugjerojnë se presidenti në fuqi ka ngushtuar diferencën me rivalin e kryesor, Francois Hollande, por kandidati socialist vazhdon të jetë i avantazhuar për përballjen direkte.

Mbështetja për Sarkozy ka ardhur në rritje pas sulmit terrorist të një algjeriani 23-vjeçar, Mohamed Merah, që vrau shtatë persona në tre sulme të ndryshme të motivuara nga racizmi.

Presidenti ka përdorur një retorikë të ashpër ndaj ekstremistëve muslimanë, në të njëjtën kohë që disa operacione të bujshme policore kanë vendosur në pranga disa dhjetëra persona të dyshuar si komplotistë në veprime terrori.

Në fushatën e tij, Hollande ka vendosur prej kohësh theksin tek ekonomia. Socialistët mbështesin rritjen e taksave për më të pasura, ngrirjen e çmimit të naftës dhe shkurtimin me 30% të pagës së presidentit dhe ministrave të kabinetit. Gjithashtu, Hollande shprehet se shqetësimi i tij i parë nëse do të arrijë të fitojë zgjedhjet do të jetë krijimi i vendeve të reja për të papunët.

Top Channel