Ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun e Brukselit, Robert Cooper, ka dënuar sulmin e djeshëm në Prishtinë ndaj një delegacioni serb.

“Ne dënojmë sulmin e djeshëm ndaj delegacionit serb në Prishtinë. Akte të tilla nuk përputhen me frymën e dialogut. Delegacioni ishte pjesë e grupit të punës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog. BE do të vijojë të ndërmjetësojë dialogun Prishtinë-Beograd dhe dy palët po takohen sot për të mundësuar një zbatim të mëtejshëm. Duhet të jetë e qartë se ky dialog nuk shërben vetëm për arritjen e marrëveshjeve por mbi të gjitha për zbatimin dhe dhënien reale të rezultateve në të mirë të popullit në të dyja anët. Zbatimi është gjithashtu kërkesa kyçe për progresin e secilës palë në rrugën e tyre drejt integrimit europian”, deklaron Cooper në një komunikatë për shtyp.

Por ndërsa zbatimi i kërkohet të dyja palëve, vlen të theksohet se një reagim i tillë, apo dënimi i hapur i një veprimi të caktuar, nuk erdhi nga zyra e Cooper për rastin e rrëmbimit dhe poshtërimit të dy policëve kosovarë nga serbët disa ditë më parë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel