Turqi, ish-presidenti në gjykatë

04/04/2012 15:30

Dy liderat e vetëm të mbetur gjallë nga një grusht ushtarak i vitit 1980 në Turqi nisën të procedoheshin nga një gjykatë në Ankara, për akuzat e puçit kundër një qeverie të ligjshme.

Gjenerali 94-vjeçar Kenan Evren, president i Turqisë në vitet 1983-89 dhe gjenerali Tahsin Sahinkaya, 86, janë njëkohësisht edhe oficerët e parë që përballen me akuza për atë grusht shteti.

Sidoqoftë, asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm në gjykatën e Ankarasë ku po zhvillohet procesi, për shkak të pamundësisë shëndetësore.

Disa qindra demonstrues, shumica pjesë e partive të ekstremit të majtë, u grumbulluan përpara gjykatës duke kërkuar që të vihet drejtësia në vend.

Rreth 600 mijë persona u arrestuan gjatë puçit. Shumë prej tyre u torturuan, qindra u dënuan me vdekje për t’u falur më pas, ndërsa 50 persona të konsideruar si “tradhëtarë” u ekzekutuan me varje.

Gjyqi ndaj dy gjeneralëve nuk kishte mundur të zhvillohej më parë si pasojë e një vendimi kushtetues që i vishte ata me imunitet, por vendimi u rrëzua në vitin 2010, pas një referendumi popullor.

Prokurorët kërkojnë burgim të përjetshëm për të dy të pandehurit, ndonëse është e qartë që masat do të ishin vetëm simbolike dhe do të dënonin grushtin në vetvete, por jo dy figurat kyçe të tij, që gjithsesi do t’i shpëtonin burgimit për shkak të shëndetit të keq.

Gjenerali Evren ka një rëndësi të madhe për politikën turke, pasi ai përfaqëson klasën dikur të paprekshme të ushtarakëve. Turqia ka përjetuar katër grushte ushtarake shteti në historinë e saj moderne, në vitet 1960, 1971, 1980 dhe 1997.

Top Channel